5 Nëntor, 2017 - 9:11 am
Voskopoja, fshati turistik 21 km larg qytetit të Korçës, ku natyra, historia e kultura ndërthuren plot harmoni, po prek çdo ditë e më shumë një transformim zhvillimi.
Falë investimeve të qeverisë që janë adresuar tek ripërtëritja e vlerave tradicionale e turistike, Voskopoja do të jetë e një destinacion dhe një model i zhvillimit të zonave rurale dhe atyre turistike në veçanti.
Në kuadër të programit të zhvillimit të infrastrukturës rajonale dhe lokale, janë çelur procedurat për ndërtimin e rrugës Loti 1. Voskopojë – Kisha e Shën Prodhomit.
Ndërtimi i kësaj rruge do të lehtësojë lëvizjen e automjeteve të cilët kanë si destinacion Kishën dhe Manastirin e Shën Prodhomit.
Voskopoja është një nga atraksionet më të fuqishme turistike dhe kjo do të shërbejë si një element shumë i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit.
Me një vlerë investimi që kap shifrën e 87 413 176 lekëve, ndërtimi i këtij aksi rrugor parashikon punime në reabilitimin e plotë të gjithë infrastrukturës sipas standardeve më të mira.
Ndërsa vëmendje do të marrë edhe punimi i veprave të arti, që konsistojnë në krijimin e një sërë elementësh të tjerë si mure mbajtës/pritës, urës, shtrimin e rrugës me kalldrëm, etj.
Investimi është akorduar nga buxheti i shtetit dhe punimet parashikojnë të zgjasin për një periudhë një vjeçare.
Voskopoja shtrihet në një pllajë 1160 metra mbi nivelin e detit dhe njihet si një qendër e zhvilluar kulturore e themeluar në vitin 1330.
Nga kisha e Shën Prodhomit, hapet para vizitorit një pamje e mahnitshme nga duken majat e Lenies dhe Ostrovicës, me një lartësi prej 2246 metra./ KultPlus.com