3 Korrik, 2021 - 3:27 pm
Çdo vdekje është makabre, por ajo me gurë është hershmëria e një tradite dhe domethënia e tërësisë së elementeve që përbëjnë skenën e një ekzekutimi.
Njeriu përgjatë historisë ka përsosur bashkëme mënyrën e të jetuarit edhe ligjësitë dhe ndëshkimet, me theks krijimin e metodave sa më mizore për vdekjen e një shkelësi të ligjit. Shumë prej dënimeve, ku vlen të citohet edhe gjymtimi, si shenjë e bartësve të veseve, aplikohen edhe sot, sot, kryesisht në botën islamike. Këto metoda ç’njerëzore ekzekutimi kanë në vetvete më shumë se përgjegjësi për bërjen e drejtësisë, urrejtje, shumë urrejtje që cek skajet e mizorisë duke e kthyer njeriun e civilizuar tek shpella.
Vrasja me gurë
Levitiku 20:2 thotë: «Kushdo nga bijtë e Izraelit ose nga ata që banojnë si të ardhur në Izrael, që i jep Molekut ndonjë nga pasardhësit e tij, do të vritet. Populli do ta godasë me gurë, derisa të vdesë.» Edhe dikush që ishte ‘medium ose bënte parashikime’, vritej. Si? ‘Goditej me gurë.’—Lev. 20:27. Te Ligji i përtërirë 22:23, 24, lexojmë: «Në rast se një vajzë e virgjër është fejuar me një njeri, por një burrë e gjen në qytet dhe shtrihet me të, nxirrini që të dy te porta e atij qyteti dhe goditini me gurë, gjersa të vdesin: vajza ngaqë nuk bërtiti në qytet, ndërsa burri ngaqë poshtëroi gruan e një tjetri. Kështu do ta heqësh të ligën nga gjiri yt.» Pra, goditja me gurë ishte një metodë kryesore që përdornin izraelitët e lashtë për të ekzekutuar dikë që bënte një krim të shëmtuar.
Vrasja me gurë (latinisht lapidatio, nga lapis ‚gur‘) është një formë mijëra vjet e vjetër e ekzekutimit, e cila dëshmohet për shumë shoqëri të antikitetit. Vrasja me gurë duket se ka qenë metoda standarde e dënimit me vdekje në Izraelin e lashtë. Përdorimi i tij vërtetohet në epokën e hershme të Krishtërimit, por gjykatat hebraike në kohët e mëvonshme përgjithësisht e shmangnin dënimet me gurë. Këto ligje kanë një rëndësi të veçantë për besimtarët konservatorë për shkak të origjinës së tyre shkrimore, megjithëse në praktikë ato kanë luajtur rol kryesisht simbolik dhe kanë tendencë të keqpërdoren.
Ajo ushtrohet deri më sot në disa vende dhe rajone të mbizotëruara nga feja islame, me vendime të organeve juridike, monarkike ose gjyqësore ose si mjet linçimi: ndër të tjera në Afganistan, provincën Açeh të Indonezisë, Iran, Irak, Jemen, Nigeri, Pakistan, Somali, Sudan, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Vëmendjen e opinionit ndërkombëtar tërhoqi vrasja e gurë më 2004 e tunizianes Ghofrane Haddaoui në Francë. Në Afrikë është e përhapur dhe e toleruar nga shteti vrasja me gurë sidomos për të fajësuarit për vjedhje ose për magji.
Dënimi zbatohet nga një grup njerëzish, të cilët vrasin duke e goditur me gurë në kokë dhe trup personin e ngulur në tokë deri në brez ose gjoks.
Në judaizëm si zbatuesit e parë të këtij ekzekutimi
Tanakh-u i fesë hebraike e përcakton vrasjen me gurë si dënim për veprat e izraelitëve në Izrael që konsideroheshin si krime ndaj zotit dhe ndaj gjithë popullit. Këtu bënin pjesë idhujtaria (psh. LiP 17,5), prishja me qëllim e shabbat-it (Num prej 15,35), parathënia (Lev 20,27), shkelja e kurorës (Lev 20,10; LiP 22,22), mosbindja ndaj prindërve (LiP 21,21) dhe fyerja e zotit. Kështu i thotë Jahve psh. në Lev 24,14 Moisiut:
Çoje atë mallkues që e ka keqpërdorur emrin e zotit jashtë kampit dhe të gjithë ata që e kanë dëgjuar t’i vendosin atij duart mbi kokë dhe le ta vrasë gjithë populli me gurë. Kjo formë dënimi synonte të ushtronte ndikim frikësues ndaj popullit. Në dhjatën e re përmendet shpesh vrasja me gurë por jo si dënim ligjor me vdekje, por si rrezik linçimi nga ana e popullit (Mt 21,35; 23,37; Llu 20,6). Kjo pasqyron metodën e pushtuesve të atëhershëm romakë kur sundimtari romak i provincës rezervonte për vete si i vetëm të drejtën për të vendosur dënimet me vdekje.
Megjithatë për pjesëtarët e judaizmit vrasja me gurë vazhdonte të vlente si formë ekzekutimi për shkelje të caktuara në bëzë të torah-së, si psh. për shkeljen me qëllim të rregullit të shabbat-it ose sfidimi i autoriteteve fetare. Për këtë arsye edhe Jezusi i Nazaretit thuhet se është konfrontuar shpesh me rrezikun e vrasjes spontanisht me gurë (Gjo 8,59; Gjo 10,31.39).
Ai vetë, sipas Zbu 8,1-11, thuhet të ketë shpëtuar nga vrasja me gurë një grua të akuzuar për shkelje kurore duke rënduar kushtet e caktuara në Lev 20,10 dhe LiP 17,6-7 (akuzesit duhet të fillojnë të parët të hedhin gurë): „Kush nga ju është pa mëkat, le ta hedhë i pari gurin kundër saj“ (Gjo 8,7). Sipas Lev 20,10 dhe LiP 22,22 duhej të vritej me gurë edhe burri që pretendohej të kishte shkelur kurorën. Pasi sundimtari romak i provincës Ponti Pilati ishte shkarkuar në vitin 36 dhe pasardhësi në detyrë nuk kishte mbërritur akoma, sinedri (gjykata e lartë e hebrenjve) shfrytëzoi vakancën e këtij posti duke futur sërish në fuqi vrasjen me gurë për shkak të shkeljeve të ligjeve fetare, e cila nuk ishte zbatuar në rastin ekzekutimit të Jezusit. Si pasojë, misionari i hershëm kristian Shtjefni thuhet të jetë dënuar me vdekje për shkak të blasfemisë dhe të jetë vrarë me gurë sipas ligjit nga paditësit jashtë qytetit (Vep 7,59). Pali i Tarsosit u ekzekutua me gurë nga turma në Listra por mbeti megjithatë gjallë (Vep 14,19).
Në kohët e mevonshme kjo metodë fillestare u zbut. Talmudi thotë se në rastet e krimeve të tilla të dënueshme me vdekje, të dënuarve u jepej përpara ekzekutimit një preparat (bar) që i trulloste.[4] Në judaizmin talmudik vrasja me gurë trajtohet tek mishna (traktati Sanhedrin 7,2) (VII 4a):
Këta vriten me gurë: ai që është shtrirë me nënën (e vet), me gruan e të atit (të vet), me nusen (e të birit), me një mashkull (tjetër) ose me një kafshë, ose një grua që është shtrirë me një kafshë, blasfemuesit, ata që adhurojnë idhujt, ai që i jep molokut farën e vet, yshtësit e të vdekurve, parathënësi i fatit, ai që përdhos shabbat-in, ai që mallkon të atin ose të ëmën, ai që shtrihet me vajzën e fejuar, joshësi, tunduesit (e idhujtarisë), magjistarët dhe bijtë e shfrenuar dhe kokëfortë. Rabini Eleasar ben Asarja kritikonte çdo formë të dënimit me vdekje duke e cilësuar një gjykatë „vrasëse“, e cila kishte nxjerrë edhe vetëm një vendim me vdekje gjatë shtatëdhjetë vjetëve. Rabin Akiba dhe Rabin Tarfon-i shkojnë deri aty saqë thonë këtë shprehje të trashëguar deri sot: „Po të kishim qenë ne në sinhedrion, nuk do të ishte ekzekutuar njeri kurrë.“
Në rast se vendosej të bëhej ekzekutimi, ishte caktuar që vendi i ekzekutimit duhej të ndodhej jashtë kampit ose qytetit, aq larg sa, deri sa të mbërrinte i dënuari atje, t’i jepej mundësia një të treti ose të dënuarit vetë të kërkonte rishtjellimin e procesit gjyqsor dhe të dilte përsëri para gjyqit në mënyrë që të kërkonte ndryshimin e vendimit me vdekje (traktati Sanhedrin 6,1). Gjykatësit vetë duhej të agjëronin në ditën e ekzekutimit (Sanhedrin 63 a).
Përgatiti: Albert Vataj. / KultPlus.com