24 Mars, 2018 - 12:27 pm
Në vitin 1999, me datë 24 mars, Wesley Clark – gjeneral amerikan dhe pjesë e NATO-s, do të jepte urdhrin për fillimin e bombardimeve në Jugosllavi.
Ai besoi fuqishëm se një intervenim i tillë do të ndikonte në uljen e fuqisë së Millosheviqit, pasi Serbia nuk po pranonte të drejtën e Marrëveshjes së Rambujesë.
Kampanja e bombardimeve të NATO-s përfshinte 1000 avionë, disa prej Italisë e Gjermanisë dhe bazave të tyre ajrore, dhe USS Roosevelt që ishte stacionuar në Detin Adriatik. Të parët që sulmuan ishin Forcat Ajrore Spanjolle.
Wesley Clark mund të quhet edhe si burri që e shpëtoi Kosovën, duke dhënë urdhër e duke e përkrahur këtë bombardim mbi caqet serbe.
Clark, sot 73 vjeçar, ka marrë pjesë edhe në operacione të tjera, përfshirë disa operacione në Vietnam. Clark ka nisur karrierën e tij në vitin 1962, kur u fut në Akademinë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Nju Jork.
Ai ka marrë edhe Medaljen Presidenciale të Lirisë, ndërsa ka kaluar 34 vite në Ushtrinë Amerikane. Kuptohet që ata që ishin pro luftës në Kosovë e quajtën Clark dhe bashkë me Bill Clinton si kriminelë lufte të cilët e shfrytëzuan autoritetin e tyre në NATO për të bombarduar njerëzit e pafajshëm.
Kampanja e bombardimeve përfundoi me 10 qershor 1999, me urdhrin e Javier Solana – Sekretar Gjeneral i NATO, pasi Millosheviq ishte pajtuar me kushtet që i kishte vënë komuniteti ndërkombëtar, dhe kësisoj trupat jugosllave filluan tërheqjen nga Kosova. / KultPlus.com