23 Dhjetor, 2020 - 10:06 pm
12 hebrenj, burra, gra e fëmijë, në korrik të vitit 1943 kishin trokitë në dyert e familjes së Xhemajl Bllatës, ku kishin kërkuar strehim, për të shpëtuar nga përndjekja e nazistëve, të cilët në atë kohë kishin vrarë rreth 6 milionë hebrenj, shkruan KultPlus.
Se këta 12 hebrenj kishin qëndruar deri në përfundim të luftës në shtëpinë e Xhemajl Bllatës në Rashan të Mitrovicës, sot e tregon për KultPlus, nipi i kësaj familje Faik Bllata, i cili detajon se këta 12 anëtarë përbënin tri familje hebrenje.
“Këtë histori e kemi mësuar gjeneratë pas gjenerate. Na kanë treguar se si gjyshi im, si kishte mësuar se këta mysafirë janë hebrenj, i kishte strehuar në shtëpinë e tij, dhe duke qenë i vetëdijshëm se hebrenjtë ndiqeshin në të gjitha anët, ai ishte kujdes për sigurinë e tyre”, ka njoftuar Faik Bllata, i cili duke kujtuar rrëfimet e të parëve, ai ka shpjeguar se burrat e gratë e strehuar në familjen e tyre, aq shpejt ishin socializuar sa që edhe i kishin ndihmuar shumë me punët rreth shtëpisë.
“Askujt nuk i kanë treguar së në shtëpinë e tyre kanë hebrenj, sepse duhej të kujdeseshin për sigurinë e tyre. Baba më ka thënë se kanë qenë të gatshëm edhe jetën ta japin, vetëm e vetëm që ti mbrojnë mysafirët e mirë”, ka treguar Bllata, i cili vazhdon rrëfimin e tij se si këta mysafirë kishin qëndruar në shtëpinë e të parëve të tij deri në përfundim të luftës.
Për të mos ngjallë dyshime se kjo familje kishte strehuar hebrenj, Bllata përcjellë rrëfimet e të parëve se si kjo familje ka pas kujdes edhe në emërtimin e tyre.
“Familjarët e mi kanë treguar se një hebre me emrin Jaron e kanë thirrë me emrin Jaran, një grua që kishte emrin Perida e kishin thirrë Feride, dhe një fëmijë me emrin Shimeon e kanë thirre Shera, me qëllim që të evitojnë rrezikun”, ka treguar Faik Bllata, i cili këto emërtime i ka kujtuar bashkë me familjarët e tjerë, dhe disa nga emrat e hebrenjve të tjerë i kanë harruar.
“Me të përfunduar lufta, gjyshi im u kishte thënë hebrenjve se deri tash kanë qenë mysafirë të zorit, por, sipas tij ai kishte kërkuar nga hebrenjtë që për dhjetë ditët e pasluftës, ata të qëndronin në familjen Bllata si mysafirë special, gjë që edhe e kanë respektuar këtë kërkesë të gjyshit tim”, ka treguar Faik Ballata.
Kulla ku janë strehuar këta mysafirë është ndërtuar në vitin 1934, por qëndrimi i tyre në këtë shtëpi, Xhemajl Bllatën e kishte shtyrë që të bënte një ndryshim në këtë kullë.
E kishte vuajtur shumë largimin e këtyre tre familjeve, dhe në shenjë të tyre, ai bashkë me familjarët e tjerë kishin vendosur që të ndërrojë konstruksionin e oxhakut të odës, dhe në të kanë vendosë yllin e Davidit.
“Më kanë njoftuar se gurin e oxhakut e kishte punuar një dibran, dhe se këtë gdhendje e kishte përfunduar për 18 ditë”, ka treguar ai, punë që tashmë ka ngjallë interesimin e Kosova Jewish Organization, të cilët janë të interesuar që të promovojnë këtë kullë që ka gjurmë hebreje.
Artina Hamitaga nga kjo organizatë ka treguar për KultPlus, se nëpërmjet Rexhep Krasniqit është realizuar takimi me përfaqësues të familjes Bllata, ku edhe është diskutuar mënyra e promovimit të kësaj kulle.
“Fotografia e kësaj kulle do të prezantohet në një ekspozitë të rëndësishme, ku do të prezantohen edhe disa fotografi të tjera që kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore të hebrenjve në Kosovë”, ka thënë Hamitaga për KultPlus, e cila në të njëjtën kohë ka njoftuar se janë duke shqyrtuar mundësitë e restaurimit të kësaj kulle, dhe në të njëjtën kohë janë duke punuar në dokumentimin e familjeve të tjera që kanë strehuar hebrenj përgjatë Luftës së Dytë Botërore.
KultPlus ju sjell ekskluzivisht pamjet e këtij oxhaku me Yllin e Davidit, shtëpi që gjendet në Rashan të Mitrovicës, dhe e njëjta do të ekspozohet bashkë me fotografi të tjera në në një ekspozitë që ka për qëllim promovimin e kulturës hebreje në Kosovë./ KultPlus.com