12 Prill, 2021 - 7:54 pm
Kostumet janë një “status simbol” i ambientit shoqëror dhe veshjet tradicionale dëshmojnë kulturën arbëreshe. Të skematizuara dhe të thjeshtësuara në përpunimin e tyre, ato i ofrojnë etnologut një fushë hulumtimi mbi veshjen e lashtë të arbëreshëve.
Studiuesi dhe poeti arbëresh Mario Bellizi ka sjellë një kolazh fotosh të njërit prej elementeve të kostumit arbëresh të Shën Vasilit, pikërisht të xhipunit.
Xhipuni është xhaketë e shkurtër, e ngushtë dhe e hapur në pjesën e përparme. Është pjesë e kostumit të nuses apo të festës, e kostumit të gjysmë festës dhe ka qenë i pranishëm edhe në veshjen e përditshme.
Edhe pse është një element që e gjejmë gati në të gjitha veshjet e arbëreshëve të Italisë së Jugut, ka karakteristika të veçanta në këto veshje si përsa i përket ngjyrës, formës dhe elementeve zbukurues.
Ditën e martesës nusja vishej me stolitë. Mbi veshjen, nusja mbante veshur edhe xhipunin me ar në ngjyrën e copës. Xhipuni anët dhe krahët i kishte të zbukuruar me fije ari./ KultPlus.com