24 Gusht, 2017 - 1:38 pm
“Historitë e popujve të tjerë gjenden përgjithësisht të gdhendur në gur, ndërsa historia jonë është e qëndisur në xhubletë”, shprehet studiuesja e etnografisë Linda Spahiu, duke theksuar se xhubleta shqiptare vjen nga 4000 vjet histori.
Në një intervistë zonja Linda tha se sot mungojnë lexuesit për këtë “libër”, fletët e të cilit janë të shpërndara, sepse pjesët e xhubletave trafikohen për arsye ekonomike, apo siç thotë ajo për arsye të banalitetit në të cilin ka rënë shoqëria moderne. Ajo shpreh shqetësimin e saj që kjo pasuri e rrallë kulturore për të gjithë njerëzimin është ende e pambrojtur.
Prandaj përmes blogut tonë Linda Spahiu kërkon që: “Së pari, xhubleta të shpallet urgjentisht monument kulture i rëndësisë së veçantë dhe të merret në mbrojtje nga shteti shqiptar. Së dyti, në mënyrë urgjente duhet të merret në mbrojtje nga Unesco si pasuri e njerëzimit. Dhe unë këtu nuk po them pse një nga veshjet shqiptare nuk po mbrohet nga UNESCO, sepse bota ka shumë veshje. Por jo! Bota nuk ka veshje si xhubleta, nuk ka një të dytë si xhubleta!”
Më tej zonja Linda shpjegon me detaje disa nga veçoritë që e bëjnë xhubletën dhe të gjithë kostumografinë shqiptare të veçantë në llojin e tyre, aq sa ajo e cilëson pasuri e të gjithë njerëzimit.
Kostumografia jonë të mahnit me vlerën e materialeve të përdorura si ari, argjendi, mëndafshi apo kadifja vishje që njihej në të gjithë europën si veshje vetëm e aristokratëve por që gjendet në të gjitha objektet tona etnografike. Por më e çuditshme se materialet janë teknikat e punimit që mundësojnë të kemi sot veshje 4000-vjeçare që gjenden jo në formë arkaike, por me një sofistikim të frikshëm në kuptimin estetik, kulturor dhe pasuror, duke sjellë antikitetin si një postmodernizëm të pasuruar me figura simbolike.
Një tjetër çudi e etnografisë shqiptare është origjinaliteti i tyre, elementi i transhendencës që vjen nga zona të thella malore, ku marrëdhëniet me qytetërimet e tjera përreth Mesdheut nuk ishin aq të shpeshta sa në bregdet dhe ku koha rridhte ngadalë e ndryshimet historike kërkonin qindra vjet.
Kjo e bën sa autentike, aq edhe të pabesueshme etnografinë shqiptare, aq sa Linda Spahiu rrëfen se si në një ekspozitë etnografike në një nga kryeqendrat e kulturës europiane, kuratorët e muzeut refuzuan për një moment bashkëshoqërimin e objekteve me të dhënat shkencore, sepse nuk besuan që këto artifakte vijnë nga zonat fshatare të Shqipërisë.
Shqetësimi më i madh i Linda Spahiut është fati i mëtejshëm i kësaj trashëgimie kombëtare, për të cilën ajo shprehet se është pasuri e brezave të ardhshëm.
“Ato janë një amanet që ne duhet ta ruajmë për ata që s’kanë ardhur ende dhe që kanë të drejtë t’i gjejnë këtu kur të vijnë”,- shprehet Linda Spahiu teksa bën thirrje për seriozitet në trajtimin e pasurisë kombëtare.
“Ne duhet së pari të investohemi seriozisht, gati si një gjest mbijetese, në kulturën e respektit dhe ruajtjes së dokumenteve dhe të studimit serioz dhe jo në mënyrë naive e internetiste. Sepse pastaj kushdo ka diçka për të thënë dhe zbulimi i vërtetë përzihet me të tjerat. Një nga mënyrat për të fshehur një të vërtetë është ta hedhësh atë në mes të sheshit bashkë me 1000 gënjeshtra të tjera. Ne kemi nevojë të bëhemi seriozë”.