27 Qershor, 2019 - 8:00 pm
A duhet që të merret xhubleta, në mbrojtje nga UNESCO? Koleksionistja dhe poetja Luljeta Dano, një jetë të tërë ja ka kushtuar kësaj pune. Për të xhubleta sot “nuk është e gjallë”!?
“Prodhimi i xhubletës tradicionale, me të gjithë parametrat e saj, ka ndaluar në vitet 1950 apo 1960. Të prodhohet një xhubletë kërkonte 6-8 muaj. Më pas nuk janë prodhuar më. Natyrisht që në logun e bjeshkëve shikojmë xhubleta për vajzat e vogla, që nuk kanë lidhje për prodhimin e xhubletës”, shprehet Dano.
Por, sa ruhet kjo traditë në familjet malësore, aty ku xhubleta në trajtë kambane, e valëzuar në pjesën e pasme, ruante identitetin e kombit shqiptar?
“Ndërtimi i xhubletës është shumë i sofistikuar. Gjithë areali, muzetë shqiptarë dhe koleksionet private kanë një numër që shkon deri në qindra. Unë kam parë edhe në shtëpitë malësore që në qilarë kanë arka që janë me xhubleta të paprekura. Pavarësisht se shumë xhubleta kanë dalë nga tregjet e Shkodrës, Milotit edhe Krujës, është për t’u gëzuar që shumë xhubleta janë edhe nëpër familje. Mendoj se edhe arkivi shtetëror ka rreth 33 xhubleta. Koleksionet private shkojnë nga disa dhjetëra në qindra. Unë kam një përzgjedhje të orientuar tek simbolika e xhubletave. E orientuar në dekoracionin e tyre, duke përfshirë të gjithë elementët ndërtues të xhubletave edhe stolitë”, rrëfen koleksionistja.
Dano tregon edhe se cila është puna që bën çdo ditë me xhubletën për mirëmbatjen e saj.
“Unë punoj çdo ditë në lidhje më xhubletën duke e konservuar. Ajo ka shumë nevojë për mbrojtje nga mikroorganizmat, për botim dhe fotografim. Mendoj se xhubleta më e vjetër ndodhet në Muzeun e Njeriut dhe i përket shekullit të XVIII. Xhubletat më të vjetra që ndodhen në koleksionet shqiptare janë nga shekulli i XIX”, shpjegon më tej. /Shqiptarja/