18 Tetor, 2018 - 5:35 pm
Prej 20 deri më 26 Nëntor, të këtij viti në Festivalin Ndërkombëtar të performancave artistike “Kyoto Experiment 2018”, në Kyoto’s të Japonisë, do të marrin pjesë për herë të parë edhe përfaqësueset kosovare nga Artpolis – Qendra për Art dhe komunitet në vizitë studimore dhe rrjetëzuese në mes të artistëve Kosovarë dhe Japonez, shkruan KultPlus.
Sivjet, festivali “Kyoto Experiment” përmban një program të ndërtuar në 12 produksione kryesore me fokus të veçantë në punën e artisteve gra. Festivali ofron një mundësi për të rishikuar patriarkatin dhe paternalizmin që mbetet i ndërthurur në shoqërinë japoneze.
Pjesë e festivalit janë një trupë e gjerë artistësh radikal nga Japonia dhe vende të ndryshme të botës, duke prezantuar teatrin, vallëzimin, artin visual, muzikën, dizajnin dhe arkitekturën. Prezente në këtë ngjarje do të jenë përfaqësueset e organizatës Artpolis dhe festivalit “FemArt”, Zana Hoxha Krasniqi dhe Jetbardha Selmani.
“FemArt” është festivali i parë feminist në Kosovë dhe më i madhi në rajon ku cdo vit mbledh rreth 200 artiste dhe aktiviste nga Kosova dhe Rajoni. “FemArt” ka arritur të përmbush qëllimin e saj për të krijuar një atmosferë ku artistet ndihen të mirëpritura për të shfaqur artin e tyre, të frymëzuara nga tema shoqërore, si dhe të krijojë një platformë dinamike ku publiku mund të mësoj për problemet shoqërore me të cilat ballafaqohen gratë dhe vajzat në Kosovë, rajon dhe më gjerë.
Festivali përdoret si një platformë për inicimin dhe paraqitjen e ideve dhe krijimeve që sjellin përpara konceptet feministe dhe zhvillimin e tyre në Kosovë, si dhe avokimin e të drejtave të barabarta dhe ndërtimin e paqes ne rajon./ KultPlus.com