29 Qershor, 2019 - 6:00 pm
Dita e fundit e një ekspedite arkeologjike 7 javore, në Butrint solli një zbulim befasues për ekipin shqiptaro-amerikan të arkeologëve. Ata besojnë se gërmimet në këtë hapësirë do të mund të rishkruajnë pjesë të historisë së Butrintit.
Një burim antik ende funksional në tabanin e një faltoreje të shek. të I, para Krishtit, në Butrint u cilësua si gjetja më e vjetër e llojit të saj në të gjithë Ballkanin. Burimi ende nxjerr ujë të pastër të pijshëm dhe duket qartë e gjithë struktura e pastrimit bashkë me një vaskë që mbushej nga burimi dhe i shërbente freskimit të popullsisë në një mjedis me karakter publik. Arkeologët besojnë se bëhet fjalë për tempullin antik dedikuar Zeusit Shpëtimtar. Struktura e tempullit ku emri i Zeusit u gjet dhjetëra herë ishte mes vendeve më të rëndësishme në qytet pas teatrit. Emrat e dhjetëra skllevërve që fitua lirinë ishin gdhendur në strukturat e gurta.
Ekspedita 7 javore i tejkaloi pritshmëritë, thotë David Hernandez, bashkë drejtor i projektit pasi provoi se ujësjellësi i ndërtuar nga perandori August, mes vitit 27 para Krishtit dhe vitit 14 të shek. të parë, është më i vjetri në të gjithë historinë e ndërtimeve me këtë natyrë. Augusti që u kujdes ta shndërrojë gjithë qytetit në një mjedis që vuloste shkëlqimin e Romës me trotuare, godina masive të gjitha të bardha dhe mbishkrime të arta ndërtoi një ujësjellës 6 km të gjatë që përshkonte Butrintin.
Gjetja e tretë e rëndësishme është konfirmimi i një Basilike
mbi strukturën e Forumit Romak që ju mbivendos tempullit të Zeusit. Strukturat
e granitit që u mbërritën në Butrint nga Egjipti si pasuri ekskluzive e
Augustit u bënë pjesë e kolonadës së Basilikës dhe më pas në shek. VI u
ripërdorën për Baptisterin.
Gjithë struktura e mureve dhe kanalizimeve të shkëlqyera të periudhës janë stabilizuar
prej arkeologëve, ndërsa Prof.Dr.Dhimitër Çondi kreu shqiptar i ekspeditës,
thotë se gjetjet në objekte janë gjithashtu mbresëlënëse. Mes tyre dallohen
instrument kirurgjie, lodra fëmijësh, objekte supersticioni etj.
Hapësira më e rëndësishme në Butrint, pas teatrit fsheh ende shumë enigma, por arkeologët besojnë se gërmimet në këtë hapësirë do të mund të rishkruajnë pjesë të historisë së Butrintit, sidomos gjatë periudhës së shkëlqimit të tij, kohës kur qyteti mori emrin dhe mbrojtjen e Augustit dhe u quajt “Colonia Augusta Buthrotum”.