6 Prill, 2019 - 1:00 pm
Anija e mbytur në fillim të shekullit XVI u zbulua rastësisht në Holandë gjatë një operacioni për të gjetur kontenierët e humbur në janar në Detin e Veriut, njoftoi të mërkurën Ministria e Arsimit, Kulturës dhe Shkencës.
“Kjo është anija e mbytur me e vjetër e zbuluar ndonjëherë në ujërat holandeze”, theksoi Ministria në një komunikatë.
Anija e mbytur u gjet gjatë kërkimeve për të gjetur kontenierët e humbur nga anija “MSC Zoe”, një prej anijeve më të mëdha në botë të transportit të mallrave, gjatë mbrëmjes së 1 janarit, në brigjet e ishullit Uaden (veri). Rreth 650 kontenierë kishin rënë nga anija.
“Gjatë kërkimeve në ujërat e Detit të Veriut, u zbuluan pllaka prej bakri dhe trarë prej druri, që solli menjëherë hapjen e një hetimi arkeologjik”, shpjegon Ministria.
“Hulumtuesit dolën në përfundimin që trarët vinin nga një anije që skafin e kishte të harkuar me shumë mundësi 30 metra e gjatë dhe që transportonte pllaka prej bakri”, thuet në këtë komunikatë.
Sipas studiuesve druri është prerë në vitin 1536 ndërsa anija është ndërtuar rreth vitit 1540 në territorin e Holandës së sotme, që në atë kohë ishte pjesë e Perandorisë së Shenjtë Romake. Pllakat e bakrit janë të datuara me të njëjtën periudhë. /ata