9 Prill, 2020 - 11:38 am
Presidenti Ibrahim Rugova konsiderohej “armik” në regjimi enverist.
Kështu thotë Kastriot Dervishi, i cili ka zbuluar një dokument të rrallë të vitit 1980.
Sipas Dervishit, Rugova u ndoq si objekti “Zdrukthi”.
Ja shkrimi i plotë nga Kastriot Dervishi:
Ky është formulari i kërkesës për vizë hyrje në Shqipëri, i plotësuar nga Ibrahim Rugova në vitin 1980. Ai kishte zhvilluar në Shqipëri, dy vizita të mëparshme:
-24 maj deri 4 qershor 1971
-26 maj 1974 deri 7 korrik 1974
Herën e parë ai kish ardhur së bashku me Rexhep Ismaijlin, duke qenë student i vitit të katërt dhe redaktor i revistës “Bota e re”. Herën e dytë u ftua nga Instituti i Gjuhës dhe Letërsisë në Tiranë. Herën e tretë u ftuar nga Lidhja e Shkrimtarëve.
Hyri në Shqipëri më 15 mars 1980 nga Qafa e Thanës dhe u largua më 13 prill 1980 nga Hani i Hotit. Pikërisht kjo vizitë shënoi edhe armiqësimin me regjimin komunist. Bashkëpunëtorë të regjimit si “Dragoi”, raportonin se ai fliste keq për Shqipërinë socialiste.
Rugova u ndoq si objekti “Zdrukthi”. Citohej të kish thënë: “Tani u binda përfundimisht se në Shqipëri nuk ka liri krijuese. Shkrimtarët janë shndërruar në burokratë. Krijuesve u jepen klishetë ku ata punojnë”. “Ndaj letërsisë së realizmit socialist flet me përçmim e përbuzje”.
Në mars 1981, me urdhër të ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, u urdhërua përpunimi i tij (ndjekja) duke e konsideruar “armik”. / KultPlus.com