Zbulohet shpella ku jetoi albanologu dom Nikollë Gazulli

21 Gusht, 2019 - 5:30 pm

Artan Shkreli, zv.ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë dhe një i apasionuar pas zbulimeve ka postuar në rrjetin e tij social vendin ku ka jetuar një vit albanologu i madh dom Nikollë Gazulli, i vrarë më 1946.


Përmes fotove ai paraqet shpellën ku ka jetuar një vit albanalogu i shquar, mjetet rrethanore të cilat albanologu i ka përdorur ai për të jetuar.
Posti i plotë i Shkrelit:
”Martiri i shndritshëm!
Dje Artur Jaku dhe Niko Sheldia na bënë me dije se, pas vitesh kërkimi, u zbulua shpella ku jetoi një vit, deri ne ditën e mbrame, albanologu i madh dom Nikolle Gazulli.
U pat vrarë aty gjate represionit të marsit të 1946-ës.
Mjafton zbulimi i kësaj shpelle, a vrime në shkëmbin gëlqeror, për të kuptuar se si dhuna dhe egërsia komuniste, të barazueshme vetëm me antinjerëzinë naziste, goditi Malësine e Madhe, klerin e angazhuar (për shpëtimin e gjindjes së vet) dhe mendimin më të lartë humanist të kohës.
Në këtë çarje të thellë të tokës në Vrith (tregoheshin shumë legjenda, e askush nuk e dinte më ku ndodhej) u gjetën tepricat e kalbura të shtratit të tij të improvizuar, shkalla e shembur dhe mjete elementare për mbijetesë; një kovë uji e ndonjë enë e vogël.
Historia e dom Nikollë Gazullit është vetë golgota disa shekullore e Shqipërisë, që kulmoi me cka do ndodhte pas përfundimit të LIIB.
Varri i tij nuk dihet…”/kohajonë/ KultPlus.com

Të ngjajshme