14 Dhjetor, 2017 - 9:45 pm
Organizatorët e protestave në mbrojtje të Parkut Kombëtar të Valbonës kanë ndërtuar vetë pa leje në këtë zonë. Nga një vëzhgim i Fiks Fare rezulton se në Valbonë janë ndërtuar disa biznese, hotele dhe bujtina, të cilat rezultojnë se janë pa leje.
Pronarët e tyre pretendojnë se kanë marrë leje në ish-komunë, megjithëse komuna nuk ka pasur të drejtë të lëshojë leje të tilla, pasi është “zonë e mbrojtur”. Me këtë argument, edhe hipoteka nuk ka pranuar t’ua regjistrojë pronat që aktualisht zhvillojnë aktivitetin në parkun kombëtar të Valbonës.
Gazetarët e Fiks Fare biseduan me 3 nga pronarët e këtyre bizneseve, pikërisht kushërinjtë, Din, Alfred dhe Ardian Selimaj, të cilët njëkohësisht janë edhe organizatorët e protestës për mbrojtjen e parkut kombëtar.
Pronarët pretendojnë se kanë ndërtuar me leje të ish-komunës, por pasi kanë nisur protestat për Valbonën, ata janë sulmuar nga struktura shtetërore. Sipas tyre, ata kanë marrë leje në komunë, por kjo leje nuk u është njohur më vonë nga hipoteka, pasi zona cilësohet e mbrojtur. Për këtë, ata janë detyruar t’i drejtohen ALUIZNI-t për legalizim dhe janë në pritje të përgjigjeve.Pra, as ALUIZNI nuk u ka legalizuar ndërtimin e hoteleve në këtë zonë të mbrojtur.
Por veç tyre, gazetarët e Fiksit biseduan edhe me amerikanen Catherine Bohne, një mbështetëse e kauzës së biznesmenëve në Valbonë, e cila tregon se kundërshton këtë krim që po i bëhet kësaj zone, e nga ana tjetër për vete ka thyer ligjin për disa vite, pasi ka qëndruar pa një leje qëndrimi në Shqipëri. Ajo tregon për Fiks Fare se për 6 vite ka qenë pa leje qëndrimi në Shqipëri, pasi nuk e dinte sesi funksiononte. Kur filloi të protestonte, e kanë thirrur në polici dhe më pas ka bërë lejen e qëndrimit. Ajo thotë se nuk është për fajin e saj por për shkak të institucioneve shqiptare. Tani, ajo shpjegon se ka marrë lejen e qëndrimit 5-vjeçare.