17 Tetor, 2021 - 11:15 am
Në sitin arkeologjik të Bylisit është zbukuar stera më e madhe (cisterna, siç e quanin romakët) dhe më e bukur e Ballkanit antik, që i përket shekullit III para Krishtit.
Historiani dhe studiuesi Neritan Ceka e cilëson cisternën antike më të vjetrën në Ballkan, që daton në shekullin e tretë para lindjes së Krishtit.
“Kjo është është pamja e cisternës dhe ka 6 ndarje, në shekullin e tretë para Krishtit shërbenin për mbledhjen e ujit që çonin në cisternën e madhe, 50 m e gjatë, 8 metra e thellë dhe 4 m e gjerë, zinte miliona litra ujë të stadiumit gjatë dimrit dhe ishte në shërbim të popullsisë ose rrethimeve ushtarake. Në këtë shesh mblidheshin rreth 10 mijë vetë gjatë festave të Dionisit.
Stera e ujit përbëhet nga gjashtë pjesë, ku është zbuluar vetëm njëra pjesë e saj”
Ndërkohë, gjatë gërmimeve kanë dalë në dritë objekte interesante të periudhës romake, deklaron arekologu Skënder Muçaj siç është një objekt prej bronzi, si dhe forma të përgatitjes së enëve të qelqit. Arkeologu Muçaj pohon se zbulimi premton nxjerrjen e të tjerave objekte në dritë, ndaj “po u qëndrohet punimeve mbi kokë në ndjekje të çdo gjurme apo objekti që shfaqet“.
Sipas arkeologut, Skënder Muçaj, synimi i projektit të zbulimit është kërkimi i periudhës romake. Ai kujtoi se zbulimet më të hershme që janë bërë në Bylis i përkasin periudhës helenistike dhe antikitetit të vonë.
Kërkimet arkeologjike në Bylis të cilat po bëhen me aplikimin e metodave gjeofizike kanë nisur nga njësia e re “ArkeoBylis” e ngritur në Akademinë e Shkencave në bashkëpunim me Instituti e Arkeologjisë.
Puna do të vijoje deri në 20 tetor, mbi këtë vepër të periudhës 2300-vjeçare që mbetet më e madhja e Ballkanit antik të asaj periudhe.
Ceka pohon se puna po vazhdon me restaurimin e objektit antik, i cili nëse gjen financime nga BE-ja mund të kthehet në funksion të turizmit dhe më gjerë.
Ndërkohë që në ditët e para të punës në Bylis janë zbuluar edhe mbishkrimet me emrat e zyrtarëve kryesorë të Bylisit, Prytanin dhe Strategun. / KultPlus.com