15 Qershor, 2018 - 8:57 am
Turizmi shqiptar po merr gjithnjë e më shumë famë përtej kontinentit. Shqipëria është aktualisht një prej destinacioneve turistike në zhvillim më të kërkuara në agjencitë e mëdha të udhëtimeve në Zelandën e Re. Për këtë arsye, sipas mediave neo-zelandeze, agjencitë turistike po e përfshijnë gjithnjë e më shumë mes guidave turistike të Europës.
E përditshmja New Zealand Herald e vendos Shqipërinë mes destinacioneve më të bukura të Europës Lindore, duke u bërë thirrje turistëve të nisin planifikimin e “arratisë” në Ballkan nga Kroacia në Shqipëri. Turizmi shqiptar këshillohet për marshimet në malet e larta të veriut e verilindjes, por edhe për të apasionuarit pas alpinizmit, të cilët mund të zbulojnë natyrën e panjohur në malësinë e Thethit dhe luginat e Valbonës.
Këshillohet të vizitohet si qyteti i Shkodrës, por edhe bujtinat në zonat malore, për të parë ndërthurjen e kulturave me kisha e xhamia.
Në renditje, Shqipëria vjen e treta pas Kroacisë e Malit të Zi, në një guidë që vijon me Bosnjen e Bullgarinë. Bregdeti, por edhe natyra e qytetet shqiptare sugjerohen këtë vit edhe nga media të tjera prestigjioze si Lounli Planet etj./ TvKlan