13 Janar, 2019 - 12:00 pm
Pazari i Krujës është një ansambël që ruan vlera të padiskutueshme historiko-arkitektonike, i cili shtrihet në të dy anët e rrugës me kalldrëm që të çon drejt kalasë së qytetit.
Falë financimit nga Fondacioni Shqiptaro – Amerikan për Zhvillim dhe në bashkëpunim me bizneset, ka nisur aplikimi i projektit të rradhës i cili ka për qëllim përmirësimin e infrastrukturës së brendshme dhe mobilimin e 5 njësive tregtare, në Pazarin e Vjetër, Krujë.
Specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme ecurinë e punimeve në kantieret e ngritura në të gjithë Shqipërinë.
Pazari është zemra e Krujës, një vend i gjallë, plot me suvenire të bukura ku është e pamundur të mos ndalosh gjatë një vizite në qytet. Një seri e vazhdueshme e çative me tulla, dyqaneve prej druri dhe guri, qilima me modele gjeometrike tipike të Ballkanit, rrugët me kalldrëm dhe pamjet piktoreske: një mrekulli.
Përveç magneteve klasike të frigoriferit, aty mund të bëni blerje artizanale interesante, siç janë artikujt shtëpiakë, bizhuteritë, mbulesat e tavolinës dhe qilimat, shumë prej të cilave janë të punuar me dorë (në disa dyqane mund të shihni edhe përpunimin e pëlhurave në kornizë), shkruan ata.
Tregu u rinovua në vitin 2015, në fakt është arkitektonikisht i patëmetë, i pastër dhe i rregullt. Duke ecur përgjatë rrugës së gurit që të çon në kështjellë dhe në muzeun e Skënderbeut do të ndiheni sikur të jeni katapultuar mbrapa në kohë./ KultPlus.com