22 Gusht, 2018 - 11:45 am
Ministria e Kulturës ka nisur punimet për adaptimin e objektit të ish-rektoratit të Universitetit të Prizrenit, “Ukshin Hoti”.
Zyrat e këtij objekti, që ndodhen në qendër të qytetit jugor janë duke u bërë gati, që aty të zërë vend një pjesë e kabinetit të ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi. Por, përderisa kabineti i ministrit pret të zhvendoset në Prizren brenda një muaji, ende nuk dihet se kur do të fillojë punë për restaurimin e konservimin e objektit, ku do të vendosen një pjesë e administratës së MKRS-së në Prizren.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka thënë se si MKRS-ja kanë nënshkruar kontratë me Komunën e Prizrenit për të shfrytëzuar dy objektet.
“Sa i përket objektit të ish-rektoratit jemi duke i përgatitur zyrat dhe do të vendosemi sapo të përfundojnë. Ndoshta brenda një muaji”, ka thënë ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, i cili vjen nga Prizreni, shkruan Koha Ditore./ KultPlus.com