17 Shkurt, 2019 - 8:51 am
Për 11-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, institucionet shtetërore kanë organizuar një varg manifestimesh. Ato, sipas agjendës zyrtare, kanë filluar më 16 shkurt.
Ndër manifestimet e para është nisja e Deklaratës së Pavarësisë nga objekti i qeverisë në 7 qendrat kryesore të Kosovës. E gjithë kjo është bërë nën mbikqyrjen e Gardës së FSK-së.
Në Prishtinë, Deklarata u vendos në sheshin “Nënë Tereza”, para Ministrisë së Kulturës. Ajo do të ekspozohet edhe në Mitrovicë, Pejë, Prizren, Ferizaj, Gjilan dhe në Gjakovë. Gjatë ditës, në kryeqytet u vendosën punime artistike të simboleve të pavarësisë dhe u hap panairi i produkteve vendore.
Qeveria e Kosovës ka ndarë 500 mijë euro për shënimin e përvjetorit të 11 të Pavarësisë së Kosovës. Ndërsa deputetët opozitarë shfaqën shqetësimin për ndarjen e kësaj shume, duke thënë se nuk e dinë se ku do të shpenzohet.
Dita e Pavarësisë së Kosovës do të shënohet me shumë aktivitete të parapara në agjendën institucionale, duke filluar në orën 08:00 me mbledhjen festive të Qeverisë. / KultPlus.com