65-vjetori i Televizionit Shqiptar, nderim për punën e qindra punonjësve që rritën vlerat e medies publike

29 Prill, 2025 - 9:30 am

Televizioni Shqiptar kremton sot 65-vjetorin e fillimit të transmetimeve të tij, duke shënuar një gur kilometrik për historinë kombëtare, në shërbim të informimit të publikut, duke ruajtur kulturën dhe duke pasuruar artin.

Në vitin 1960, Televizioni nisi transmetimet vetëm për një territor të kufizuar e më pas u shtri në të gjithë vendin, duke mbuluar sot hapësirën më të madhe gjeografike nga të gjitha mediet audiovizive të vendit.

“Do i kujtoj me nostaligji gjithë këto vite, sidomos 40 vitet e mia të punës në RTSH, ashtu siç dua të kujtoj ata që me punën dhe përkushtimin e tyre i dhanë Radio Televizionit Shqiptar një dritare që u bë shumë e dashur për teleshikuesin në tërë trojet shqiptare,” thotë Dhimitër Gjoka, folës për shumë vite në RTSH.

“RTSH ishte i vetmi kanal televiziv që shikohej në mbarë Shqipërinë dhe kudo që shkoje më pëlqente, se në njëfarë mënyre sikur më përkëdhelej sedra që njerëzit më njihnin dhe më flisnin me shumë emocion,” kujton Ketrin Gjoça, prezantuesja e emisionit për fëmijë “Me Ketin”, e cila iu bashkua që e re për të mos iu ndarë stafit të Radiotelevizionit.

“Dashuria e parë dhe e fundit e imja është Radio Televizioni Shqiptar. Të gjitha energjitë tona i kemi hedhur në këtë institucion. Këtu u rritëm. Këtu formuam emër. I uroj me zemër ditëlindjen!” tregon Osman Mula, muzikant, regjisor dhe drejtues i festivaleve muzikore të Radio Televizionit Shqiptar, përveçse anëtar i Këshillit Drejtues të RTSH.

Televizioni Shqiptar prodhoi në më shumë se gjashtë dekada programe që synuan të jenë gjithëpërfshirës, duke pasur në vëmendje informimin, edukimin dhe argëtimin.

Televizioni Shqiptar sot në 65-vjetorin e themelimit numëron me qindra programe tematike, dokumentarë, seriale dhe filma televizivë, koncerte, recitale, festivale muzikore kombëtare, pa lënë mënjanë gjininë e skenës së teatrit.

Sot RTSH feston dhe nderon me krenari dhjetëra gazetarë, muzikantë, artistë, skenaristë, teknikë, kameramanë, punonjës të prodhimit televiziv, që kanë dhënë kontribut të çmuar në pasurimin e programacionit të RTSH.

RTSH është transmetuesi i vetëm publik në Republikën e Shqipërisë dhe synon të përparojë në kohën e teknologjisë dhe sfidave që sjell zhvillimi në fushën e medies audiovizive. RTSH sot është televizioni i historisë së Shqipërisë./rtsh/KultPlus.com

Të ngjajshme