AIDSSH përkujton masakrën e 26 shkurtit 1951

26 Shkurt, 2023 - 6:00 pm

Në kujtim të viktimave të komunizmit, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, përkujtoi sot 72-vjetorin e ekzekutimit të 22 intelektualëve, të akuzuar për shpërthimin e lëndës eksplozive në ambasadën e Bashkimit Sovjetik në Tiranë.

Sot, më 26 shkurt 2023, mbushen 72 vjet nga ekzekutimi i intelektualëve Sabiha Kasimati, Tefik Shehu, Pjerin Guraziu, Jonuz Kaceli, Anton Delhysa, Haki Kodra, Gafur Jegeni, Myftar Jegeni, Manush Peshkëpia, Reiz Selfo, Qemal Kasaruho, Zyhdi Herri, Gjon Temali, Petro Konomi, Niko Lezo, Pandeli Nova, Thoma Katundi, Mehmet Shkupi, Ali Qorraliu, Fadil Dizdari, Hekuran Troka, Lluka Rashkoviç.

Pasdreken e 19 shkurtit 1951 u hodh një sasi e vogël dinamiti në oborrin e ndërtesës së ambasadës sovjetike. Pati alarm në Ministrinë e Brendshme dhe qarqet e larta politike të Tiranës. Byroja Politike e KQ të PPSH u mblodh urgjentisht për të marrë në shqyrtim incidentin në ambasadë.

Ministri i Brendshëm, Mehmet Shehu, kërkoi nga Byroja Politike që arrestimet të bëheshin qysh atë natë, disa qindra persona, pa bërë hetime për ngjarjen dhe pa gjetur provat për personat e pandehur. Ministria e Brendshme dhe Sigurimi i Shtetit përpiluan listën e vdekjes, arrestimin dhe pushkatimin e 22 vetave (nga datat 19-26 shkurt 1951).

Secili prej emrave të përzgjedhur, të arrestuar me ngut dhe të dënuar politikisht, kishte një histori të pasur individuale dhe familjare, në fusha të ndryshme dhe përfaqësonte më së miri shtresën intelektuale e properëndimore të Shqipërisë së asaj kohe.

Të arrestuarit u pushkatuan pas pesë ditëve, mesnatën e 26 shkurtit të vitit 1951, pranë Urës së Beshirit. Ky veprim u quajt i përligjur, sipas një dekreti me gjashtë nene, për “veprimtaritë terroriste” që u hartua me vonesë nga kreu i Ministrisë së Brendshme Mehmet Shehu dhe u miratua rrufeshëm nga Presidiumi i Kuvendit Popullor dhe Byroja e PPSH, më 26 shkurt 1951, kur gjithçka, pa gjyq, kish marrë fund. Ministri i Drejtësisë nuk mori pjesë në këtë farsë.

Pas ekzekutimit të viktimave, që shkuan drejt vdekjes pa e ditur pse, dokumentet gjyqësore u plotësuan me mangësi. Kur viktimat nuk jetonin më, nga një dokument i vonuar gjyqësor, u mor vesh se më datën 27 shkurt 1951, një trupë gjyqtarësh kishte dhënë vendim për dënimin me vdekje të 22 të vdekurve.

Familjet e të ekzekutuarve u përndoqën brutalisht për vite me radhë. Në korrik të vitit 1991 ata kërkuan pafajësinë e familjarëve të pushkatuar pa gjyq. Vendimi i Gjykatës së Lartë i shpalli të pafajshëm 22 intelektualët e dënuar.

Në vitin 1993, të sinjalizuar nga banorë të zonës dhe të orientuar nga dëshmitarë okularë, familjarët arritën të gjenin vendekzekutimin dhe vendvarrimin e përfolur pranë Urës së Beshirit. Me identifikimin e vendit u krye edhe zhvarrimi i tyre dhe më pas rivarrimi me të gjitha nderimet në varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

Presidenti i Republikës ka nderuar me medalje 22 intelektualët e ekzekutuar, po ashtu familjarët e tyre për vlerat dhe dinjitetin njerëzor të treguar në vite./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme