“Ajo që ia thotë këngës…”, së shpejti hapet ekspozita e 17 Ndërkombëtare e Fotografisë dhe Imazhit Lëvizës Gjon Mili

16 Janar, 2025 - 4:24 pm

Galeria Kombëtare e Kosovës, ka njoftuar se të enjten, më 23 janar do të hapet ekspozita ndërkombëtare e Fotografisë dhe Imazhit Lëvizës Gjon Mili, edicioni i 17-të, duke filluar nga ora 19:00 deri në 21:00.

“Kuruar nga Valentine Umansky, Ajo që ia thotë këngës… përfshin veprat e 23 artistëve, pjesa më e madhe e tyre nga Ballkani”, thuhet në njoftim.

Tutje, është bërë e ditur se koncepti i ekspozitës është frymëzuar nga tepsia, praktikë muzikore tradicionale me rrënjë në Kosovë, e performuar kryesisht nga gratë.

“Kjo formë unike kombinon meloditë vokale me rrotullimin ritmik të tepsisë. Këtu, tepsia bëhet metaforë e gjesteve të trashëguara – që janë përcjellur prej nënës tek e bija – që lidhin gjeneratat me brezat e kaluar. Për më shumë mund të lexoni komunikatën e bashkangjitur më poshtë”, thuhet tutje në njoftimin e Galerisë.

Para-premiera për media mbahet prej orës 18:00 deri në 19:00.

“Pjesa hapëse e ekspozitës shpalos vepra të Huda Takritit, Kristina Benjocki, Joanna Piotrowska,
Lebohang Kganye dhe Angela Blažanović, secila prej tyre në përfytje me kujtimet e fragmentuara
dhe (pa)mundësinë e rigjurmimit të prejardhjeve familjare. Ashtu si rrotullimi i një tepsie, gjestet e
tyre të ngadalta dhe të qëllimshme ringjallin tregimet stërgjyshore që janë në rrezik për t’u humbur.
Pastaj ngrihet era. Shtohen ulërima dhe gumëzhima. Teksa skulpturat e qelqit të Ivana Bašićit që u
ngjasojnë mushkërive flasin për frymën që i formoi ato, amuletat e Saodat Ismailovës, si hajmali,
pëshpëritin një këngë që udhëton përtej kohës. Instalacioni i Clarissa Tossinit ringjall instrumentet
frymore të Majave para-kolumbiane përmes kopjeve të printuara në 3D të atyre që mbahen në
koleksionet e muzeut, duke rigjallëruar sistemet e njohurive indigjene, duke lejuar që tingulli të
tingëllojë edhe një herë. Lala Raščić, puna e së cilës frymëzoi titullin e ekspozitës, së bashku me
Semâ Bekirović dhe Astrit Ismailin, luftojnë me tepsinë si një objekt, duke kërkuar mënyra për të
“shpërthyer” traditat shtrënguese dhe strukturat shoqërore shtypëse”, thuhet tutje në njoftim.

Artistët që do të marrin pjesë janë Ivana Basić, Kristina Benjocki, Semâ Bekirović, Angela Blažanović, Željka
Blakšić, Vera Hadzhiyska, Majlinda Hoxha, Astrit Ismaili, Saodat Ismailova, Šejla Kamerić, Lebohang
Kganye, Ana Likar, Glorija Lizde, Maria Mavropoulou, Klodiana Millona & Endi Tupja, Joanna
Piotrowska, Stanislava Pinchuk, Iva Radivojević, Lala Raščić, Simon Shiroka, Huda Takriti, dhe
Clarissa Tossin./KultPlus.com

Të ngjajshme