18 Tetor, 2017 - 5:20 pm
Artisti Alban Muja, që nga data 12-të tetor është pjesë e një ekspozite të përbashkët në Slloveni.
Bëhet fjalë për dy punë të artistit, videot “Palestina” dhe “Tibeti” dhe projektin më të ri me kufijtë.
Ekspozita “In-On the May”, bashkim i dy ekspozitave “Migrations of Fear” dhe “Story Time” është hapur me 12 tetor në Koroška galerija likovnih umetnosti në Slloveni.
Videoja “Palestina” tregon për vajzën prishtinas e që ka këtë emër dhe e cila e ka marrë emrin nga tragjeditë që po ndodhnin në Palestinë kur ajo lindi. Videoja është punë e vitit 2005.
Katër vite më vonë, Muja realizoi videon “Tibet”, për djalin shqiptar i cili e ka këtë emër dhe i cili jeton në Zvicër, me një histori prapa këtij emri.
Pjesë e ekspozitës është edhe puna “Borders Without Borders”. Në fakt, kjo është puna kryesore e Mujës brenda kësaj ekspozite. Muja ka zgjedhur të fotografojë ndërtesat e braktisura të kufirit, në shtetet anëtare të BE –së dhe të nxisë pyetje rreth vërtetësisë së ekzistencës ose mos ekzistimit të kufijve midis këtyre shteteve – shumica e të cilave ndajnë një të kaluar, shpesh një konflikt, por gëzojnë sot lirinë e lëvizjes me njëri-tjetrin, shkruan KultPlus.
“Migrations of Fear” vjen si reagim ndaj situatës aktuale politike por edhe realitetit social në Europë. Vala e refugjatëve, sulmet terroriste, siguri minimale, krizë e skajshme humanitare, lëvizje djathtiste që po e dëmtojnë mirëqenien e qytetarit, po e bëjnë Evropën një vend të tmerrshëm për jetë.
Ekspozita në fjalë sjellë edhe artistët Azra Akšamija, Nika Autor, Lana Čmajčanin, Plamen Dejanoff, Petja Dimitrova, Juliane Ebner, Dejan Kaludjerović, Luiza Margan, Emil Mirazchiev, Oliver Ressler, Ute Richter, Kamen Stoyanov, Škart, Borjana Ventzislavova & Mladen Penev, Clara Wildberger, Kim Albrecht, Nika Autor, Vesna Bukovec, Lana Čmajčanin, Nadine Kaadan, Jure Markota, Jalal Maghout dhe Škart, dhe do të qëndrojë e hapur deri me 3 dhjetor. / KultPlus.com