9 Maj, 2019 - 11:07 pm
Alberina Haxhijaj
Fotografitë: Arben Llapashtica
Artisti Alban Muja me vite ka mbajtur distancë nga përjetimet që ka pasur gjatë luftës së fundit në Kosovë, duke mos dashur që këto të fundit të ndikojnë në punën e tij. Si artist ai njihet për trajtimin e Kosovës si një hapsirë territoriale, mirëpo duke mos u fokusuar tek historia që ka prapa vendlindja e tij. Mirëpo, Bienalja e Venecias këtë vit e ka thyer këtë trajektore të punës së artistit pasi që ai në projektin e tij të ri të realizuar për Pavijonin e Kosovës e që u hap sot në Venecia rikthehet tek e kaluara e vendit të tij, si një thirrje për të mos e harruar atë. Përmes tri videoinstalcioneve ai solli një retrospektivë të tri ngjarjeve që kanë ndodhur 20 vite më parë, e që përveç se janë histori personale, zbërthejnë edhe memorien kolektive duke vënë në pyetje edhe ndikimin që kanë imazhet dhe mbulimi medial, sidomos gjatë luftërave dhe konflikteve.
Ideja për këtë projekt, artistit Alban Muja i kishte filluar në kohën kur ai ishte duke shfletuar albumin e tij familjar dhe kishte gjetur një fotografi të tij së bashku me kryeministrin e Spanjës (Jose Maria) Aznar, në vitin 1999. Mirëpo, sipas tij, përdorimi i kësaj fotografie mund të shihej si një projekt politik pasi që babi i tij ishte një ish i burgosur politik si dhe mund të ishte subjektive. Në anën tjetër, në atë kohë kryeministri i Spanjës kishte ofruar përkrahje për kosovarët ndërsa tani rrethanat politike janë të kundërta. Prandaj projekti mori një drejtim tjetër, mirëpo duke mbajtur lidhje me përjetimet që vet artisti kishte si refugjat. Muja në hapje të Paviljonit theksoi se “Albumi Familjar” nuk ka të bëjë vetëm me të kaluarën por edhe me të sotmen.
“Shpresoj që kemi arritur të sjellim diçka, jo vetëm për ta treguar një realitet të kaluarës së Kosovës, por edhe të sotmen. Shpresoj që kemi arritur t’i justifikojmë taksapaguesit e Kosovës që e kanë paguar këtë. Ne jemi shumë të nderuar dhe ndoshta herën e ardhshme mund edhe të rritemi, por tash e kemi bërë një përvojë të mirë që t’u ndihmojmë edhe artistëve tjerë”, ka thënë Muja.
Kosova përmes Mujës u prezantua për herë të katërt në Bienalen e Venecias, ku prezantimet e mëparshme përbëheshin nga prezantimet solo të punimeve të Petrit Halilaj (2013), Flaka Haliti (2015) dhe Sislej Xhafa (2017). Mirëpo, sipas presidentit të Bienales së Venecias, Paolo Baratta i cili po ashtu ishte i pranishëm në hapjen e Pavijonit të Kosovës, në këtë edicion të 58-të e që si titull ka “Jetofsh në kohëra interesante” – pjesëmarrja e vendeve të reja në Bienale, ashtu siç është Kosova nënkupton që akoma ka besim në punën që bëhet në këtë Bienale.
“Është shumë mirë kur shtetet e reja marrin pjesë në Bienale, pasi që kjo nënkupton që ata po besojnë në atë qe ne po bëjmë. Të ardhurit në Bienale nënkupton një gjë të vetme e ajo është se ne dëshirojmë që të bisedojmë përmes artit dhe jemi gati që ta bëjmë këtë, jemi gati që të pranojmë sfidën”, tha presidenti Baratta.
Në fillim të Pavijonit të Kosovës që është vendosur në Arsenale vizitorët mund të dëgjojnë historinë e Besës e cila tregon sesi fotografi Damir Sagolj kishte fotografuar nënën e saj duke i dhënë gji Besës, gjersa ecnin në kolona për të kaluar kufirin. Për më shumë se 24 orë nëna e Besës, Sherife Luta kishte ecur me vajzën e saj në krah për të arritur në Bllacë, madje në një moment ajo kishte menduar se vajza e saj (Besa) kishte vdekur nga të ftohtit, pasi që nuk po lëvizte. Ky mendim e kishte tmerruar atë dhe asaj i kishte rënë të fiktë, derisa vajzën e saj një fqinje e ka vendosur në furrë për disa sekonda e pastaj Besa kishte filluar të qajë.
Videoja e dytë zbërthen fotografinë e fotografit Peter Turnley. Besimi dhe Jehona për 14 minuta tregojnë historinë e babit të tij, përjetimit që ai kishte pasur si i burgosur. Turnley e kishte fotografuar atë duke mbajtur në duar dy fotografitë e fëmijëve të tij në momentin kur ai ishte ndarë nga kolona pasi që ai i kishte ndihmuar një të moshuar, për këtë arsye atë e kishin lidhur për një dritë në rrugë dhe të gjithë të burgosurit është dashur që ta godasin, fytyra e tij e skuqur vërehet edhe në imazhin e shkrepur nga gazetari amerikan i cili pastaj edhe e kishte ndihmuar atë. Besimi dhe Jehona tregojnë sesi nuk kanë ditur për njëri-tjetrin nëse janë gjallë.
Në videon e tretë, Agimi tregon sesi ia kanë vendos emrin e xhaxhait i cili kishte vdekur aksidentalisht. Pikërisht për shkak të emrit, lidhja e tij më gjyshin dhe gjyshen ka qenë më e madhe dhe Carol Guzy, fotografja e vetëm me të cilin artisti Muja nuk ka arritur që të komunikoj, ka kapur momentin kur ai është në duar të djalit të axhes duke kaluar në mes të telave në mënyrë që gjyshi dhe gjyshja ta puthnin, pasi që ata nuk ishin lejuar që të hynin në kamp.
Këto tri videoinstalacione i japin një pamje të thjeshtë Pavijonit të Kosovës, mirëpo gjithashtu ju lënë hapësirë vizitorëve që të eksplorojnë tutje historitë e këtyre katër personazheve, pasi që pikërisht tri fotografitë emblematike nuk zbulohen në Pavijon. Pikërisht këtë thjeshtësi e vuri në pah edhe kuratori i ekspozitës Vincent Honore.
“Jemi krenarë për shkak të substancës dhe jemi krenarë edhe me minimalizmin e veprës. Është pavijon shumë i thjeshtë, sepse duam të koncentrohemi në veprën, në artistin, në rrëfimet dhe subjektet dhe duam të koncentrohemi në Kosovën, që është një vend fantastik me shumë artistë të mirë që vijnë prej atje”, ka thënë Honore.
Sipas ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit ky prezantim i denjë i Kosovës në Bienale ka ardhur si rezultat i punës së mrekullueshme që ka bërë ekipi punues.
“Padyshim që Albani, bashkë me këtë ekspozitë, me këtë projekt, bashkë me Arta Aganin dhe kuratorin kanë paraqitur disa përjetime të refugjatëve kosovarë në luftën e viti 98-99. Na kanë dhënë mundësi që të shohim atë pjesën që për ne është ende e freskët, ndërsa ata që nuk kanë qenë pjesë e luftës së Kosovës, veçanërisht vizitorët do të kenë se çfarë të shohin e të përjetojnë”, tha ai. I pranishmen në hapje të Pavijonit ishte edhe kryeparlamentari Kadri Veseli , i cili theksoi se Muja përmes “Albumit Familar” ka sjellë një pjesë të realitetit kosovar.
Bienalja e Venecia do të hapet për vizitorë më 11 maj dhe do të qëndrojë e hapur deri më 24 nëntor. Vitin e kaluar mbi 275 mijë veta e kanë vizituar Bienalen që nënkupton se po kaq njerëz edhe këtë vit do të kenë mundësinë që të eksplorojnë historinë e Kosovës dhe të refugjatëve të saj, të kaluarën e Kosovës duke shikuar edhe nga e tashmja./ KultPlus.com