31 Tetor, 2019 - 4:37 pm
Elvi Sidhiri
Në hapësirën letrare shqiptare, e së shpejti përtej saj, vjen libri “Anatomy of a Kosova Woman’s Soul” i shkruar me një stil krejt unik, aq më tepër në anglisht, nga Vlera Kastrati, që krahas spikatjes në muzikën e epërme Jazz, tashmë nis edhe rrugëtimin e saj padyshim gjithaq të suksesshëm në letërsi, me këtë libër që do lexuar për të kuptuar shumëçka për Kosovën e disa dhjetëvjeçarëve të fundit, por njëkohësisht dhe universin femëror, në një formë tejet origjinale, të çiltër e mjeshtërore.
Kur një ditë, do të nisja leximin e këtij libri, do të më kujtoheshin vitet e shkuara, pikërisht në agun e studimeve të mia të hershme në spanjisht, kur do të lexoja për kryearkitektin e historisë së Spanjës dhe Katalonjës, Antoni Gaudi, mendje gjeniale gjurmëlënëse në tërë infrastrukturën futuristike e përrallore të Barcelonës së shekullit të fundit, që përmendet edhe nga autorja në faqet e këtij libri.
Pse gjithë kjo preambul pra?
Sepse ky libër është pak a shumë një Sagrada Familla e autores, që shton kate, strukturë e vlera në çdo rishikim e ripërpunim të tij me kalimin e kohës, ashtu si edhe kisha qiell-mëtuese barcelonase vazhdon të ndërtohet e lartësohet drejt qiellit gjatë jetës e pas vdekjes së beftë të arkitektit të saj gjenial, edhe sot e kësaj dite.
Ashtu si Gaudi, autorja synon të papërfytyrueshmen përmes faqeve të librit të saj; nëse Gaudi rrekej të kapte qiellin me shpirtin e tij të skajshëm dhe imagjinatën pafre, autorja derdh në këtë libër çdo ndjenjë që ia përshkon qenien e saj, duke sendërtuar një ndërthurje krejt njësore nuancash të larmishme emocionale që e joshin lexuesin menjëherë dhe nuk i ndahen kërshërisë së tij gjer në rreshtin e fundit.
Për një lexues të gjinisë mashkullore veçanërisht, ky libër do të shërbente edhe si një manual për të depërtuar (aq sa i kemi kapacitetet fundja, si meshkuj!) së paku në paradhomën e shpirtit, logjikës dhe, pa pretenduar shumë, ndoshta, pse jo, edhe në zemrën e një femre.
E këtu, pashmangshëm na rivjen në mendje titulli i këtij libri “Anatomy of a Kosova Woman’s soul”.
Një anatomi femërore do të mjaftonte për ta shndërruar sipërmarrjen e shkruarjes së një libri të tillë, qoftë edhe nga një femër me një botë të pasur shpirtërore, kulturore, mendësore e praktike, siç është autorja e tij, në një ushtrim të denjë për “Mundimet herkuliane” të mitologjisë.
E sakaq, kur kjo anatomi letrare, sociale, sa edhe shpirtërore, ndijore e emocionale, ku ngërthehen pazgjidhshëm ndjenja, pritshmëri, shtysa, shpresa, ndjeshmëri e mungesa jetësore, fokusohet në një grua kosovare, gjithçka koklavitet edhe më tepër, duke marrë njëkohësisht trajta të reja krejt specifike.
Është një rrugëtim i gjatë, disa dhjetëvjeçarësh nëpër labirintet e jetës, synimeve, prirjeve më intime, shtysave më të papërmbajtshme, sa edhe të strukura thellë në nënndërgjejgje, të autores, një anatomi e çiltër, pa sofizma, pa metafora të paqena, e prekshme njëlloj si brishtësia e karakterit të vendosur të autores (nuk është kundërthënie kjo!), realiste, e mirëqenë dhe e përthithshme qoftë edhe nga lexuesi më profan në këto tematika kaq delikate.
Një rrugëtim nëpër universin femëror të autores, në dyzimet e saj qenësore, në dritëhijet e dashurueshmërisë së saj, në qëmtimin e saj të botës mashkullore, në daljen e saj të përhershme jashtë stereotipeve për gjininë e saj në mjedisin e saj jetësor maskilist e tradicional.
Gjithçka ndërkaq, e kundruar plot finesë përmes prizmit të ngjarjeve, tragjedive, shtypjes, dhunës, privimeve dhe vështirësive pafund ku do të zhytej vendlindja e autores paralelisht me përçapjet e saj emocionale, shtegtimet e saj frymëzuese, mësymjet e saj nëpër skajet e pashkelura të horizonteve të veta mendësore, e gjithçka tjetër që hasim në këtë libër.
Autorja pranon të dalë ballazi kundruall lexuesit, por ajo zgjedh të shpërfaqë gjënë e saj më të shenjtë e të paarritshme qoftë nga njerëzit, qoftë nga ngjarjet, situatat apo rrethanat që atë e shoqërojnë gjatë jetës dhe lexuesit gjatë përparimit nëpër kapitujt e këtij libri.
Ajo pranon kaq guximshëm ta shpërfaqë tërësisht shpirtin e saj, duke nxjerrë në pah, në këtë “Agora” letrare e shpirtërore që kaq vetvetiu mishërohet në këtë libër, krejt shtresat përbërëse të botës së saj shpirtërore, duke i analizuar ato një më një, duke gjetur shkakun, cytjen, nxitjen, arsyen apo komën emocionale të çdo ngjyrimi të ndjenjave të saj kundrejt dashurisë, mjedisit jetësor, qytetit të vet, shoqërisë, kulturës, prapambetjes, pushtuesit, pranisë ndërkombëtare, botës së qytetëruar ku ajo ndjen se përket e në veçanti, MUZIKËS.
Sepse ky është një “Libro in musica” siç do të thoshin miqtë tanë italianë.
Një libër i përshkuar nga muzika pra. Një libër i shkruar me muzikë, i krijuar me muzikë, i mbështetur te muzika dhe i mbyllur me muzikë nga një njeri që muzikën, artin, krijueshmërinë, i ka për sinonim të vetvetes në kuptimin më parësor të mundshëm.
Letërsia pra, shkrimi, ky libër, përbën veç një grykëderdhje tjetër për frymëzimin e autores që vërtitet brenda qenies së saj pandalshëm në kërkim të gurgullimeve të reja, i formësuar herë me shkronja alfabeti, herë me tekste nota muzikore, herë përmes tingujve të zërit të saj grishës ndër këngë.
Një libër që të pushton e të bën pjesë të çdo mendimi, ngjarje, historie, mëdyshje ekzistenciale, trazimi jetësor apo emocional, dridhme, dënese, ligështimi, shprese, kënge apo ndjenje të shprehur në secilën faqe të tij.
Një rrugëtim, jo më kot. Një udhë drejt tunelit dhe dritës në fund të tij. Dritëz aspak utopike, që në krye të disa dekadave na shpie larg, atje ku letërsia bëhet këngë, ku ndjenjat bëhen mendime, ku shtysat bëhen akte të pakthyeshme, ku Sagrada Familla e këtij libri tanimë resht së qeni një objekt kulti në ndërtim, dhe befas e shohim të shndërruar në një faltore të shenjtëruar, me fjalë të tjera, në një libër të plotë e të përfunduar.
Një libër femëror që çdo mashkull do të donte ta lexonte. Një libër i shkruar në gjuhë të huaj për t’u shkëputur ndoshta sa më shumë emocionalisht nga uni shqiptar, por një libër që do ta bënte çdo të huaj ta kuptonte shqiptaren dhe universin e saj krejt qartësisht, një libër i mbrujtur në muzikë, ndjenja e “Vlera”. /KultPlus.com