28 Maj, 2024 - 6:27 pm
Teatri Kombëtar sjell së shpejti në skenën e ArTurbinës, veprën “Anonimi i Venedikut”.
Përgjatë tri netëve 31 maj-2 qershor, publiku mund të ndjekë një romancë të jashtëzakonshme dashurie, shkruar nga romancieri e dramturgu italian Giuseppse Berto.
“Për të gjithë ata që duan të përjetojnë emocione të papërsëritshme, që duan të qeshin dhe të qajnë, të dashurojnë, por edhe të urrejnë…”, kështu shkruhet në faqen online të Teatrit Kombëtar.
Vepra vjen me regji të Hervin Çulit, i cili gjithashtu ka zgjedhur edhe të aktrojë përkrah ish-partneres së tij në jetë, aktores Adelina Muça, me pjesëmarrjen edhe të vajzës së tyre, Noha.
Vepra trajton historinë e një çifti të divorcuar që ritakohen pas tetë vjetësh dhe bëjnë një udhëtim në Venecia, duke rikujtuar kohët e kaluara ku zihen si gjithmonë, dashurohen si gjithmonë, por është personazhi kryesor i veprës, burri ai që e ka kërkuar këtë takim, sepse është duke vdekur.
Ky është një rikthim i veprës në skenën shqiptare, pasi më herët është sjellë nga emra të mirënjohur të artit, si aktorët Luiza Xhuvani e Fatos Sela, dhe me skenografinë e Orion Shimës./atsh/ KultPlus.com