Ardianë, të lutem botoje

30 Nëntor, 2023 - 2:12 pm

Ka kohë që rrojmë në një ambient skajshmërisht toksik. Degradimi shoqëror ka prekur nivel të frikshëm. Elita ka kohë që është shuar. Idealistët nuk rronë më. Normat shoqërore të të rrojturit, i ka vënë masa dhe zbatohen me domosdoshmëri nga inteligjenca. Lindja, zhvillimi dhe instalimi i papërgjegjësisë është trashëgimi e krijuar nga ky degjenerim. Në këtë degjenerim, meritokracia nuk zë vend dhe është arsyeja e padëshiruar por e imponuar e njerëzve, për t’u larguar nga atdheu. Një i tillë mentalitet i të funksionuarit, dëfton që jemi një popull i ndërtuar për të qenë nën-nivel (mesatar), sepse ndërgjegjen e vejmë në veprim vetëm për interesa individuale. I arsyetojmë veprimet e papërgjegjshme, duke i dhënë vetes ineksione shfajësuese morale. Prandaj jemi të lumtur të përhershëm; budallenjë dhe të sigurt, kombinim perfekt i lumturisë. **

Që të mos e zgjasë përshkrimin e zhgënjimit, që quhet – realitet, po kthehem tek arsyeja e shkrimit. Në mungesë të përgjegjësisë dhe meritokracisë, edhe arti dhe kultura i janë nënshtruar trajtimit fyes të vënë në zbatim nga masa. Në këtë ambient zhgënjyes dhe të trisht në të cilin rrojmë, kur dëgjoj ç ‘quhet art dhe kulturë, trajtimi që i bëhet artit dhe artistit, dua ta hap varrin tim, të shtrihem brenda dhe të mbulohem me shpejtësi.

Në këtë kohë zhgënjyese për artin, ka qenë dhe është një mbrojtëse e përhershme e kulturës, që përkujdeset për artistët; ajo është Ardianë Pajaziti. Me punën e saj të palodhshme, e ndihmuar nga Rexhë Krasniqi, është përkujdesur për artin dhe për artistët. Ajo vazhdimisht i ka nderuar artistët, duke “ia zbardhur fytyrën vetes”, jo vetëm se ka sjell njerëz që “na kanë zbardhur fytyrën”. Ajo i ka sjell dhe i ka prezantuar tek ne, punët e suksesshme të artistëve tanë që veprojnë jashtë, si dhe e ka përçuar punën e artistëve vendor, gjithandej. Me punë të palodhshme, me shumë mund, kohë dhe shpesh me shpenzime vetanake, Ardiana vazhdon të mbrojë, të trajtoj dhe të nderoj artin dhe artistin. Puna e saj e palodhshme, asnjëherë nuk është trajtuar me respektin që e meriton. Ardiana është personalitet që duhet nderuar si aset kombëtar. KultPlus, është institucion që kultivon respekt. Ka kohë që ndjejë nevojë të falënderoj shumë Ardianë Pajazitin dhe KultPlus, për punën e saj, për kontributin, për përkujdesjen dhe për ruajtjen e artit dhe kulturës. KultPlus është institucion ku gjejnë prehje artistët.

P.S. – E di që e ke të vështirë të botosh këtë shkrim të shkurtër dhe falënderues por – Ardianë, të lutem botoje. Me shumë respekt Arben I. Kastrati. / KultPlus.com

Të ngjajshme