5 Shkurt, 2025 - 4:57 pm
Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit kujtoi në ditën e tij të lindjes, mjeshtrin e madh të valles popullore shqiptare, Besim Zekthi (1936-2020).
TKOB e cilësoi Besim Zekthin si “figurën e ndritur që la një trashëgimi të pashlyeshme në artin koreografik dhe interpretimin skenik”.
Besim Zekthi, një legjendë e skenës shqiptare, interpretoi mbi 200 valle si solist, duke krijuar qindra figura artistike që mbeten të paharrueshme.
Gjithashtu ai ishte koreografi i disa prej valleve më ikonike: “Dasma e Rugovës”, “Për flamur, për atdhe”, “Valle me motive të Mirditës”, etj. Ai ishte virtuozi që i dha Shqipërisë “Gjerdanin e Artë” në Festivalin e Dizhonit në Francë dhe që me energjinë, temperamentin dhe mjeshtërinë e tij, magjepsi spektatorët në skenat e Ballkanit, Europës, Azisë dhe Afrikës.
Besim Zekthi, laureat i dhjetëra çmimeve e titujve, u vlerësua edhe me titullin më të lartë, “Nder i Kombit”./atsh/ KultPlus.com