5 Janar, 2019 - 10:00 pm
Lumturia, sipas Paulo Coelho-s.
“Çfarë është lumturia?”. Kjo pyetje nuk më ka munduar prej kohësh, pikërisht sepse nuk di se si t’i përgjigjem. Disa njerëz duken të lumtur, thjesht sepse nuk mendojnë për lumturinë. Disa të tjerë bëjnë plane: “Do të martohem, do të bëhem me shtëpi, do të bëj dy fëmijë etj”. Për aq kohë sa mendime të tilla fluturojnë në mendjen e tyre, ata nuk mendojnë thellë, por thjesht ecin përpara në jetë. Ata punojnë për të blerë diçka të shtrenjtë, ndoshta dhe një makinë “Ferrari” dhe mendojnë se kuptimi i jetës qëndron pikërisht atje. Për ta, lumturia ka kuptimin e blerjes së diçkaje të shtrenjtë, por sërish, në sytë e tyre ka një trishtim, për të cilin as ata vetë nuk janë të ndërgjegjshëm.
Unë nuk e di, nëse të gjithë janë të trishtuar. Ajo që di, është se njerëzit janë gjithmonë të zënë duke punuar me orare të zgjatura, duke u kujdesur për fëmijët, për bashkëshortin/en, duke u marrë me karrierën, me shkollën, me atë çfarë do të bëjnë të nesërmen, me ato çfarë do të blejnë nesër, apo me çdo gjë tjetër që nuk do t’i bëjë të duken inferiorë ndaj të tjerëve.
Disa njerëz më kanë thënë: “Jam i/e trishtuar”.
Shumë të tjerë më kanë thënë: “Jam mirë, kam arritur të siguroj çdo gjë që dëshiroja në jetë”.
Dhe unë i pyes: “Çfarë të bën ty të lumtur?”
Ata përgjigjen: “Unë kam gjithçka që çdokush ëndërron të ketë: një familje, një shtëpi, një punë dhe shëndet të mirë”.
Pastaj unë këmbëngul: “Kështu që kuptimi i jetës është puna, familja, fëmijët që do të rriten dhe do të largohen prej teje, një bashkëshort/e që do të bëhet me kalimin e kohës një mik/mikeshë për ty. Dhe një ditë do të heqësh dorë edhe nga puna. Çfarë do të bësh kur të ndodhë diçka e tillë?”.
Ata nuk përgjigjen, por ndërrojnë temë… / bota.al/ KultPlus.com