Çmimi Nobel për Kimi ndahet për tre kimistët David Baker, Demis Hassabis dhe John M. Jumper

9 Tetor, 2024 - 12:54 pm

Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave ka vendosur që çmimin Nobel 2024 për Kimi ta ndajë në gjysmë, dhe njërën pjesë t’ia japë David Baker për dizajnimin e proteinave kompjuterike dhe gjysmën e dytë t’ia japë Demis Hassabis dhe John M. Jumper për parashikimin e strukturës së proteinave.

David Baker ia ka arritur të ndërtojë lloje krejtësisht të reja të proteinave, gjë që ishte pothuajse e pamundur, ndërsa Demis Hassabis dhe John Jumper kanë zhvilluar një model të AI për të zgjidhur një problem 50-vjeçar e që është parashikimi i strukturave komplekse të proteinave.

“Shumëllojshmëria e jetës dëshmon për kapacitetin e mahnitshëm të proteinave si mjete kimike. Ata kontrollojnë dhe drejtojnë të gjitha reaksionet kimike që së bashku janë baza e jetës. Proteinat gjithashtu funksionojnë si hormone, substanca sinjalizuese, antitrupa dhe blloqe ndërtuese të indeve të ndryshme”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Proteinat në përgjithësi përbëhen nga 20 aminoacide të ndryshme, të cilat mund të përshkruhen si blloqet ndërtuese të jetës. Në vitin 2003, David Baker arriti t’i përdorte këto blloqe për të krijuar një proteinë të re që nuk ishte si asnjë proteinë tjetër. Që atëherë, grupi i tij hulumtues ka prodhuar një krijim imagjinativ të proteinave pas tjetrit, duke përfshirë proteina që mund të përdoren si farmaceutikë, vaksina, nanomateriale dhe sensorë të vegjël.

Zbulimi i dytë ka të bëjë me parashikimin e strukturave të proteinave. Në proteina, aminoacidet janë të lidhura së bashku në vargje të gjata që palosen për të krijuar një strukturë tre-dimensionale, e cila është vendimtare për funksionin e proteinës. Që nga vitet 1970, studiuesit ishin përpjekur të parashikonin strukturat e proteinave nga sekuencat e aminoacideve, por kjo ishte jashtëzakonisht e vështirë.

Në vitin 2020, Demis Hassabis dhe John Jumper prezantuan një model të AI të quajtur “AlphaFold2”. Me ndihmën e tij, ata kanë qenë në gjendje të parashikojnë strukturën e pothuajse të gjitha 200 milionë proteinave që studiuesit kanë identifikuar. Që nga zbulimi i tyre, AlphaFold2 është përdorur nga më shumë se dy milionë njerëz nga 190 vende.

Jeta nuk mund të ekzistonte pa proteina. Fakti që ne tani mund të parashikojmë strukturat e proteinave dhe të dizajnojmë proteinat tona i jep përfitimin më të madh njerëzimit./KultPlus.com


Të ngjajshme