Debati – doracaku i edukatës seksuale në shokollat tona

16 Nëntor, 2024 - 8:14 pm

Ali Caka
Me shkas

Në vitet ’90, një organizatë ndërkombëtare,një nga ato që operonin në Kosovë në atë periudhë të trazuar, solli kondomë në Gjimnazin “Sami Frashëri” si pjesë e një programi për edukimin seksual.

Në atë kohë, koncepti i edukatës seksuale ishte ende një temë tabu në shumë sfera të shoqërisë kosovare, e sidomos në mjediset konservatore.

Shpërndarja e kondomëve në shkollë shkaktoi reagime të ashpra, sidomos kur një vajzë nga një familje patriarkale u zbulua nga prindërit se kishte marrë një kondom. Situata u përkeqësua, dhe familja reagoi me zemërim ndaj shkollës, duke kërkuar shpjegime dhe duke e parë këtë veprim si një provokim të rëndë ndaj vlerave tradicionale.

Ky episod është një nga tregimet e asaj kohe që kujtohet ende nga ata që ishin nxënës të Gjimnazit “Sami Frashëri”.

Sot, situata ka ndryshuar, por debati mbetet i ndezur. Me përfshirjen e një doracaku të ri për edukatën seksuale në shkollat tona, reagimet janë të ashpra nga një pjesë e shoqërisë dhe veçanërisht nga disa politikanë të opozitës, të cilët e shohin këtë si një çështje morale dhe kulturore. Disa prej tyre kanë ngritur edhe kallëzim penal ndaj Ministres së Arsimit, duke e konsideruar këtë material si provokim ndaj normave shoqërore.

Në rrjetet sociale, të ashtuquajturit “rojtarë të moralit” shpërndajnë opinione të forta, dhe debate të ethshme përshkojnë platformat digjitale, duke e bërë çështjen më të dukshme dhe më të diskutuar se asnjëherë më parë.

Historikisht, edukata seksuale ka pasur një trajektore të ndryshme në vende të ndryshme të botës. Për herë të parë, lëndët e edukatës seksuale u futën në shkollat publike në Suedi, në vitin 1955, me qëllim që të ofronin një qasje të bazuar në shkencë për çështjet e seksualitetit dhe shëndetit riprodhues. Më vonë, shumë vende të tjera ndoqën këtë shembull, duke e përfshirë edukatën seksuale si pjesë të kurrikulave të shkollave.

Në shoqëritë tradicionale si ajo shqiptare, në Kosovë po edhe në Shqipëri, dija dhe përgatitja për martesë ishte kryesisht përgjegjësi e familjes, dhe nuk trajtohej hapur në shkollë. Djaloshi, po ashtu edhe vajza, përgatiteshin për natën e parë të martesës, një proces që ndodhte brenda mureve të familjes dhe në përputhje me zakonet e trashëguara.

Edhe sot e kësaj dite, në disa vende të botës, edukata seksuale është ende një temë tabu, dhe përfshirja e saj në sistemin arsimor vazhdon të hasë në rezistencë.
Në mjediset moderne dhe digjitale të sotme, ku informacionet janë të qasshme lehtësisht përmes rrjeteve sociale dhe internetit, debati për edukatën seksuale në shkolla nuk është thjesht një çështje përmbajtjeje, por edhe një reflektim i përplasjes së vlerave tradicionale me botën moderne dhe qasjen ndaj të drejtave dhe shëndetit seksual të të rinjve./ KultPlus.com

Të ngjajshme