Denacifikimi dhe putinët e miniputinët

27 Shkurt, 2022 - 12:00 pm

Ibrahim Berisha

Denacifikimi dhe putinët e miniputinët

Apo, duhet ende të trembemi nga fjalët e perandorit romak, Kaligula, kur tha: Nuk është e rëndësishme nëse njerëzit më duan apo më urrejnë. Gjëja kryesore është se ata mua ma kanë frikën.

Kaq e thjeshtë.

Ka dy lloje njerëz që vijnë nga Luiziana, predikues dhe tregimtarë, shkruan Walker Percy, romancier nga New Orleans, duke iu referuar bashkëqytetarëve tij. Dhe shton: Për hir të Zotit, bëhu tregimtar. Dhe kjo është gjithçka që po përpiqem të bëj unë-të tregoj një histori.

Në shoqërinë tonë, pa ndonjë përjashtim, predikuesit janë tregimtarë të historive, predikim e tërheqje në “anën e vet”. Anët janë tregimet tiranike të historisë. Predikuesit e bëjnë historinë, një ky ngushëllim pa pasur dëshmitarë. Prandaj, tirania rrjedh nga një burim prej nga doli dhe u pjek, sikur një Putini, që po e luan rolin e Kaligulës.

 …

Sundimtarët e këqij përdorin gjithmonë “fjalë publike”, që nuk kanë lidhje me realitetin. Ata mizorinë kur e krijojnë, e arsyetojnë si një dënim të domosdoshëm, mision, grabitjen si ekonomi e zhvillim, ndërsa dënimin e paargumentuar si disiplinim mësimor. Kështu, siç provon të bëjë edhe Putini dhe gjithë shokët e tij anë e kënd botës. Por, miniputinë ka kudo, madje edhe në ambientin tonë. Jemi të rrethuar nga miniputinët. Ata i krijoi historia e sistemit për të prishur edhe më shumë këtë sistem të kësaj bote diversive.

Gjuha e tyre e prishur, ah po ta dëgjonte sot Taciti, nuk përngjan në avull, por në mjegull të dendur, akull madje, propagandë, që ia tejkalon asaj Propagande Fide në Mesjetë.

Po vret për të denacifiku një popull! Shih! Edhe propaganda qeveritare serbe thotë se ka mision edhe sot e kësaj dite denacifikimin e shqiptarëve të Kosovës! Vetëm të Kosovës, por jo edhe të Shqipërisë!

Propaganda, edhe kjo ruse, edhe kjo serbe, para do dite, edhe e miniputinëve në shoqërinë moderne, u pa edhe në rastin e Shtëpisë së Xhafer Devës. Propoganda, nuk është gjë tjetër veçse dhunë, një përbërës thelbësor për të fituar dhuna mbi paqen.

Profile diktatorësh ka plot. Edhe do të ketë. Një skalitje të detajuar të përmbytësve e bëjnë edhe shkrimtarët. Romanin e Antonio Skuratit, “M. Biri i shekullit”, shkrimtari Roberto Savijano, e vlerëson si një vepër që italianët e kishin pritur me dhjetëvjetësha. Por, vetë shkrimtari Skurati, në një intervistë, kur flet për romanin e tij, anagramon thellësisht profilin e diktatorit, në këtë rast të Musolinit. Ai thotë se Musolini, ishte shumë i mençur dhe fascionues, shumë joshës dhe manipulues. Shpesh e kanë përqeshur se i gjasonte një klouni, por në të vërtetë ishte shumë i mençur, pasi që kuptonte mirë, se cila do të ishte politika e duhur. Pra, e kuptonte se politika mund të nisë në dy krahë të ndryshëm njëherësh: njëri ishte ai prej nga rridhte vetë, socializmi, dhe pas kësaj politike qëndronte ideja e shpresës: “nesër do të jetë më mirë sesa është sot” apo edhe më emocionale: “jeta e fëmijës tim do të jetë më e mirë se imja”. E larguan nga partia socialiste dhe ngadalë e kuptoi se ekzistonte edhe një ndjenjë që ishte shumë më e fortë sesa shpresa, dhe ajo ishte frika. Shih për këtë, edhe vuri “bast” në këto: në frikë, në përbuzje, në tërbim, në tradhti, që assesi të mos mbetej viktimë.

Këto ndjenja ishin shumë të përhapura në mesin e italianëve, por edhe përgjithësisht në mesin e evropianëve pas Luftës së Parë Botërore. Borgjezia i frikësohej një revolucioni socialist dhe ajo që ishte shpresë për socialistët, për borgjezët, ishte frika. Së pari, rrethi i afërt i ndjekësve të Musolinit qenë veteranët e Luftës së Madhe, dhe jo gjithkushi, por komandantët dhe banditët profesionistë, të cilët banditë profesionistë adhuroheshin gjatë luftës, sepse propaganda i paraqiste ata si hyjni, shkruan Skurati.

Dua të them. Tiranët janë të mençur deri në pikën e marrëzisë, dhe nuk kthejnë mbrapa. Gjithashtu janë fascionues të frikshëm, por edhe manipulues e vikimizues të tmerrshëm.

Urrjetja rritet, ushqehet, Kjo konstantë nuk ka lëvizur as në shekullin XX dhe vazhdon edhe në shekullin XXI, madje duke qenë e dhjamosur edhe në shoqëritë e “civilizuara”. Urrejtja dhe dhuna i referohen dashurisë së sëmurë për të dyshuar dhe për të sunduar gjithçka. Nëse intelektualët nuk i kundërvihen urrejtjes, atëherë ky mekanizëm pavarësohet, madje bëhet qëllim i vetes, thotë filozofi Glucksman.

Urrejtja publike, që është aq e pranishme prek sensin dhe racionalen derisa njeriu ta reduktojë veten në një viktimë të pashmangshme. Kjo gjason në një rrugë pa krye, e arkivuar si paperspektivë.

Pse njerëzit bëjnë vepra heroike, pyet pastaj shkrimtarja kanadeze, Margaret Atwood. Një franceze që ishte pjesë e rezistencës në Luftën e Dytë Botërore, thotë ajo, më tregoi shumë kohë më parë: “Lutu që të mos kesh kurrë rast të bëhesh hero, sepse rastet për një gjë të tillë gjithmonë janë në situata të tmerrshme”.

Apo, duhet ende të trembemi nga fjalët e perandorit romak, Kaligula, kur tha: Nuk është e rëndësishme nëse njerëzit më duan apo më urrejnë. Gjëja kryesore është se ata mua ma kanë frikën.

Kaq e thjeshtë./ KultPlus.com

Të ngjajshme