27 Dhjetor, 2018 - 11:00 pm
Qyteti i Vushtrrisë cilësohet si vendi ku “çaji i rusit” është pija më e preferuar. Në këtë qytet ku brenda ditës pihen me dhjetëra gota çaj në çajtore të shumta, nga nesër e deri në fund të këtij viti meraklitë e çajit do të bashkohen përballë Kalasë për ta shijuar çajin jashtë në këto ditë të ftohta dimri.
Për t’i bashkuar vushtrriasit përballë Kalasë janë përkujdesur të rinjtë e Vushtrrisë, të cilët këtë iniciativë e kanë nisur jo vetëm për t’i mundësuar ta shijojnë çajin gjithë vushtrriasit bashkë por, njëhershit edhe për të iu dal në ndihmë familjeve në nevojë, kjo pasi që të gjitha mjetet monetare që mblidhen në këtë festival do të dhurohen për familjet në nevojë, shkruan rtv21.tv
“Ngrohe vetën me një çaj dhe ofro ngrohtësi për familjet në nevojë”, është edhe motoja e këtij aktiviteti, i cili është duke u organizuar për herë të parë në këtë qytet.
“Çajfest” mban emrin kjo ngjarja që do të filloi me datën 28 deri e do të vazhdojë deri më 30 dhjetor. Siç lë të nënkuptohet edhe nga vet emri, për këto tri ditë banorët do të kenë mundësi të shijojnë çajin, por edhe muzikën që do t’i shoqërojë ata.
Grupi i të rinjve vushtrrias që kanë nisur këtë aktivitet humanitar kanë treguar se këtë aktivitet nuk do ta kishin mundur ta realizonin pa mbështetjen e Komunës dhe disa bizneseve lokale si: Emonagroup, Unioni, Dea, Ariani Company, Apetit Group, Real Market, Korabi Show, FC Forca, Auto Servis “Te Xhaviti”, RB Collection.
Kjo iniciativë humanitare nuk është e para e organizuar nga ky grup i të rinjve, javë më parë ata kanë organizuar një aktivitet në mbledhjen e rrobave, të cilat i kanë dërguar në familjet me nevojë në Vushtrri. /KultPlus.com