10 Maj, 2021 - 9:24 pm
Luljeta Bozo u rrit në shtëpinë e zaptuar të inxhinierit të pushkatuar dhe nusëroi në vilën e grabitur të djalit të burgosur të Sevasti Qiriazit
Kur Mirush Përmeti u pushkatua nga regjimi komunist, la pas bashkëshorten Bedrie e cila ishte në muajt e fundit të shtatzënisë me fëmijën e tretë. Kishte edhe dy vajza të vogla, Ifeten dhe Ermirën. Dy muaj pas pushkatimit të Mirushit, erdhi në jetë i biri, Esmeri. Nuk e njohu kurrë babanë e tij. Mirush Përmeti kishte qenë një ndër inxhinierët e talentuar të Tiranës së viteve ’40. I diplomuar në universitetin e Padovas në Itali, ishte një ndër intelektualët e rëndësishëm të kryeqytetit. U akuzua padrejtësisht si pjesë e grupit të inxhinierëve të kënetës së Maliqit dhe u pushkatua bashkë me të tjerë, gjithashtu të pafajshëm. Ishte një “grup armiqsor” i sajuar si i tillë nga diktatori me qëllim për të eliminuar grupin e inxhinierëve, si pjesë e elitës së Tiranës. Kështu do të ndodhte edhe me të tjerë në vazhdimësi.
Familja e Mirush Përmetit, jetonte në atë kohë në një vilë të vogël dhe komode në rrugën “Budi” në Tiranë. Ishte shtëpia që e kishte ndërtuar vetë pasi ishte inxhinier ndërtimi. Pak muaj pas pushkatimit të Mirush Përmetit, regjimi komunist vendosi që ta dëbojë familjen e tij nga banesa.
“Largimi nga banesa ishte ngjarja më e rëndë që i ndodhi nënës pas vrasjes së babit tim, Mirush Përmeti. Më ka rrëfyer me mijëra herë atë histori se kurrë nuk i hiqej nga mendja.
Ato ditë kur nëna po përjetonte dhimbjen për të shoqin e pushkatuar, njerëz të panjohur vinin shpeh të vila jonë dhe hynin në çdo qoshe të shtëpisë për ta parë… shoqëroheshin me policë të diktaturës. Në njërën prej ditëve, një çift i ri erdhën si vizitorë të padëshiruar në shtëpinë tonë. Kishin hyrë në çdo dhomë e në çdo cep të shtëpisë e më pas edhe në bahçen e bukur, të cilën e kishte projektuar me finesë babai. Pas vizitës, çifti i ri që dukej se ishin të rëndësishëm për regjimin, kishin thënë se iu pëlqente shtëpia. Nuk kaluan pak ditë dhe policët e diktaturës zbarkuan para shtëpisë dhe e detyruan mamanë me dhunë, të largohej menjëherë nga banesa e saj… nuk e lejuan të merrte asnjë orendi të shtëpisë. Gruaja e tmerruar me beben në dorë dhe vajzat e vogla, kishte nisur të mblidhte disa plaçka të domosdoshme dhe krevatin tim. Isha vetëm dy muajsh … Por gruaja e re komuniste, i kishin thënë nënës që atë krevat nuk mund ta merrte me vete se iu duhej atyre. Mamaja e tmerruar i kishte thënë se krevati i duhej për djalin e saj të porsalindur… “Mund të merrni çdo gjë por jo krevatin e bebes se djepi i foshnjes nuk i grabitet askujt.. s’ka ndodhur kurrë”. Por gruaja kishte urdhëruar që krevatin e donte ajo për fëmijët e saj. Mamaja u detyrua të dëgjojë edhe thirrmën e kobshme të çiftit të ri komunist… “fëmija juaj nuk meriton këtë krevat… madje nuk meriton të jetojë”…Kështu mamaja ime Bedria u largua nga shtëpia e saj me pak rrecka e me ne fëmijët e mitur. E detyruan të jetonte në një bodrum në një lagje të Tiranës. Një bodrum që pas pak kohësh do të shembej duke na rrezikuar jetën… unë nuk i harroj kurrë vuajtjet e kohës së diktaturës. Aq më pak mund të harroj dhimbjen e nënës time për babain që na pushkatuan e gjithaq edhe dhimbjen për dëbimin nga shtëpia që babi e kishte ndërtuar vetë” rrëfen Esmer Përmeti, i biri i inxhinierit të pushkatuar nga regjimi, Mirush Përmeti.
Kur Esmer Përmeti bashkë me nënën e tij dhe dy motrat u larguan nga banesa e tyre, çifti komunist, Panajota dhe Vasil Konomi, jetuan në vilën e bukur dhe atje i rritën fëmijët e tyre. Krevati i birit të Mirush Përmetit mbeti aty për t’u shijuar nga famijët e çiftit komunist Konomi.
Në oborrin e bukur të vilës së Mirush Përmetit do të hidhte hapat e saj qysh në vogli, vajza e përkëdhelur e familjes komuniste, Luljeta Konomi. Luljeta ishte në atë kohë 7-8 vjeçe dhe ndoshta i mban mend detajet e ditës kur zbarkuan në pronën që prindërit e saj grabitën me vulën e diktaturës. Sifdoqoftë, ajo jetoi fëmijërinë e lumtur në oborret e bukura të bahçes së familjes Përmeti dhe bashkë me familjen e saj, për 50 vite, e shijuan atë banesë të pamerituar. Por nuk mbaron këtu. Me rrëzimin e diktaturës komuniste, Esmer Përmeti dhe familja e tij nisën përpjekjet për të marrë banesën e tyre të grabitur nga regjimi që sapo ishte rrëzuar. Iu deshën shumë përpjekje dhe beteja ligjore për t’u kthyer në shtëpinë e grabitur. Sepse Luljeta, bija e familjes Konomi, ishte inxhiniere e rëndësishme e ndërtimit dhe bëri përpjekjet maksimale për të mbajtur banesën e grabitur për prindërit e saj. Një betejë e ulët e pamëshirshme, po aq sa e pamëshirshme kishte qenë grabitja e saj.
***
Do të shkojmë te një tjetër histori edhe më e dhimbshme sesa ajo e familjes Përmeti. Dy historitë kanë të përbashkët një personazh, Luljetën, vajzën e familjes Konomi që do të shkonte nuse në derën e familjes Bozo, gjithashtu e privilegjuar nga regjimi komunist.
Është i njohur kontributi i motrave Qiriazi në shërbim të atdheut. Motrat Qiriazi ia kushtuan gjithë jetën arsimimit. Sevasti Qiriazi dhe motra e saj Parashqevi Qiriazi, hapën shkollën e parë të vashave në Korçë në vitin 1891. Veprimtaria e tyre atdhetare nuk u ndal kurrë derisa komunizmi i shkatërroi duke iu vrarë fëmijët.
Është tragjike historia e Sevasti Qiriazit, një ndër gratë më të shquara të historisë së Shqipërisë. Sevasti Qiriazi i dha gjithçka atdheut e atdheu i pushtuar nga diktatura komuniste, ia shpërbleu me vrasjën e djalit të saj Gjergji Dako dhe burgosjen e djalit tjetër, Aleksandër Dako.
Në vitin 1949, Gjergji Dako, i biri i Sevasti Qiriazit dhe Kristo Dakos, u arrestua nga diktatura komuniste. Ishte një ndër mjekët kirurg më të talentuar të asaj kohe. Për shkak të torturave në qelitë e burgjeve komuniste, Gjergji ndërroi jetë në shkurt të vitit 1949. Ndërkohë i vëllai, Aleksandri, djali tjetër i Sevastisë, ishte në burg. Pak muaj më pas, Sevasti Qiriazi ndërroi jetë nga dëshpërimi. Familja e mbetur jashtë qelie u drejtua nga e motra e Sevastisë, Parashqevi Qiriazi. Pasi iu grabit prona e tyre në Kamëz, ku ishte edhe instituti Qiriazi, Parashqevia ia doli të blinte një shtëpi në Tiranë në rrugën “Halim Xhelo”. Ishte një shtëpi private. Vila e saj mbante numrin 28. Parashqevia jetoi aty bashkë me familjen e Aleksandrit, Rozin dhe tre fëmijët. Në vitin 1953, Aleksandri u lirua nga burgu. Iu rikthye jetës bashkë me bashkëshorten, tre fëmijët dhe me tezen Parashqevinë. Në vitin 1970, Parashqevi Qiriazi ndërroi jetë. Ndërkohë, Aleksandri me familjen e tij vazhduan jetën në banesën që iu kishte blerë tezja, deri në vitin 1975. Por Aleksandri vazhdonte të ishte në shënjestër të regjimit dhe vazhdimisht i sulmuar. Më 15 tetor 1975, me akuza të sajuara nga Sigurimi i Shtetit, Aleksandër Dako u internua në Tale të Lezhës. Pak muaj më pas, në janar 1976, vilën e tij e zaptoi familja e Todi dhe Luljeta Bozos. Nuk e dimë nëse ishte rastësi apo fat i kërkuar prej Luljeta Bozos që ishte rritur në shtëpinë e grabitur të një inxhinieri të pushkatuar nga regjimi, e të nusëronte më pas në shtëpinë e grabitur të një tjetër inxhinieri të burgosur si kundërshtar i regjimit. Por e vërteta është që ajo e grabiti shtëpinë e birit të Sevasti Qiriazit ashtu siç prindërit e saj kishin grabitur shtëpinë e inxhinierit të pushkatuar Mirush Përmeti.
Duket sikur komoditeti i Luljeta Bozos varej direkt nga pushkatimet e intelektualëve të Shqipërisë nga diktatura. Ndaj dhe ndoshta duket kaq e zakontë ta dëgjosh Luljeta Bozon të flasë me simpati për atë kohë të diktaturës komuniste, kur vritej Mirush Përmeti dhe shtëpia e tij grabitej nga prindërit e Luljetës, e kur vritej djali i Sevasti Qiriazit e burgosej e internohej djali tjetër, për t’i lënë shtëpinë Luljetës, nuse e bashkëshortit të saj komunist i devotshëm.
Kur Luljeta Bozo artikuloi se në kohën e diktatorit kishte më shumë anë pozitive se sa negative ndoshta e kishte fjalën për jetën e bukur në vilat e grabitura. Por ajo e di mirë se me atë shprehje ka lënduar shumë njerëz. Luljeta është zgjedhur deputete e Partisë Socialiste në kuvendin qe doli nga zgjedhjet e 25 prillit 2021. U prezantua si imazhi i ri i kësaj partie, edhe pse Luljeta është shumë e hershme në këtë parti, qysh kur ajo quhej Partia e Punës së Shqipërisë. Luljeta ishte komuniste e devotshme gjatë sistemit diktatorial dhe nuk ishte thjesht përfituese, por pjesë e regjimit komunist bashkë me familjen e bashkëshortit. Kunati i saj, Irakli Bozo ishte një ndër gjyqtarët e diktaturës që firmosi procese për pushkatimin e kundërshtarëve të regjimit. Irakli Bozo ka dhënë vendimin për pushkatimin e Maliq Bushatit në vitin 1946.Gazetarët e kujto.al kanë siguruar dokumente dhe fakte që tregojnë të plotë historinë e grabitjes së pronës së familjes Dako. Një artikull i posaçëm i kushtohet kësaj historie ku publikohen për herë të parë dokumente që tregojnë se si, përmes skenareve të shëmtuara të Sigurimit të Shtetit, familja Bozo ia doli të internojë Aleksandër Dakon dhe t’i grabisë vilën me numrin 28 në lagjen “Halim Xhelo” në Tiranë. Një artikull që do të publikohet së shpejti: Përballja e inxhinier Dakos me çiftin Bozo, që i kishin rrëmbyer vilën dhe e kishin nxjerrë në rrugë në moshën 70 vjeçare.
Është e dhimbshme historia jonë e së shkuarës. Por është edhe më e dhimbshme historia e së tashmes, kur Luljeta bashkë me shokët e shoqet e saj, na sfidojnë me “anët pozitive të kohës së diktaturës”. Kur flasin me nostalgji për jetën e tyre të lumtur në diktaturë, ata as duan ta dinë se gërvishtin miliona plagë dhimbjesh që shkaktuan mbi shqiptarë të pafajshëm.
Këto ditë, tentuam të komunikojmë me Rozi Dakon, mbesën e Aleksandër Dakos, për ta intervistuar e për të mësuar detaje rreth historisë së familjes së saj. Rozi Dako nuk ka dëshirë të flasë. Ajo shkruan se këto kohë, për familjen e saj është rikthyer dhimbja: “Kjo ngjarje na ka tronditur shumë dhe po më mungon ajri si atëherë… Shqetësimi është i jashtëzakonshëm dhe për familjen tonë hapet një faqe tej mase e dhimbshme”– tha ajo per Kujto.al.
Dhe kjo histori na kujton disa rreshta domethënës të Primo Levit:
“Ora e lirisë ra e rëndë dhe e errët, na mbushi shpirtrat me hare e njëkohësisht me një ndjesi të dhembshme turpi, ndaj do të kishim dashur të pastronim ndërgjegjet dhe kujtimet tona nga shëmtia që dergjej në to; na i mbushi edhe me brengë, sepse e ndienim që kjo s’mund të ndodhte, që kurrë më s’kish për të na ndodhur diçka kaq e mirë dhe e dëlirë sa të fshinte gjithë të shkuarën tonë, dhe damka e përdhosjes s’do të na shlyhej kurrë, s’do të shlyhej as nga kujtimet e atyre që i kanë përjetuar, as nga vendet ku ndodhi, as nga tregimet e rrëfimet që do të shkruanim. Ngase, dhe ky është privilegji i tmerrshëm i brezit dhe i popullit tim, askush tjetër, kurrë, s’ka arritur të rrokë natyrën e pashërueshme të poshtërimit, që përhapet si epidemi. Është marrëzi të mendosh që drejtësia njerëzore do ta shfarosë….”/Kujto.al/ KultPlus.com