1 Shtator, 2020 - 5:30 pm
Këngëtarja me prejardhje nga Kosova, Dua Lipa, ka bojkotuar ceremoninë e ndarjes së çmimeve “MTV Video Music Awards” që u mbajt të dielën. Krijuesja e hiteve “Physical” dhe “Last Dance”, ka bojkotuar ceremoninë, pasi nuk ishte e nominuar në kategoritë kryesore. Për çdo vit, MTV Video Music Awards mbledh emrat më të njohur të skenës muzikore botërore. Nga tapeti i kuq, te performancat e yjeve, çdo moment e paraqitje është plot glamur e vëmendje nga të gjitha mediat ndërkombëtare. Si çdo edicion tjetër, edhe këtë vit nominimet përfshinë artistë të ndryshëm, por të pakënaqur me kategoritë ku u futën ishin Dua Lipa dhe Harry Styles.
Gjatë vitit 2020, Dua dhe Harry kanë qenë më të dëgjuarit, e të nominuar për çmime primare, por sivjet nuk u përzgjodhën për çmimet kryesore të ngjarjes së njohur muzikore. Për këtë arsye, dy yjet e popit e kanë bojkotuar këtë ngjarje, duke mos u paraqitur as për perfromancat e planifikuara. Por, në mungesë të tyre, brenda natës nominimet ndryshuan dhe dy top artistët ndërkombëtarë u shpërblyen në disa kategori. Po ashtu, edhe pse në mungesë të Duas, hapja e ndarjes së shpërblimeve për videon më të mirë, u bë me tingujt e njërës prej këngëve më të suksesshme të saj.
Dëgjuesit e dyshes janë shprehur të pakënaqur, duke thënë se që të dy kanë merituar më shumë nominime primare dhe sipas tyre, bojkotimi i ngjarjes së MTV-së ka qenë fitore për të dy. E nominuar për videoklipin më të mirë të vitit ishte edhe Bebe Rexha.
Çmimi dytësor
Ani pse e bojkotoi ceremoninë, Lipa fitoi në kategorinë “Kënga me efektet më të mira vizuale” për klipin e këngës së re “Physical”. Ndërkaq, ylli Lady Gaga ishte fituesja e madhe e ceremonisë së sivjetme. Ajo fitoi pesë trofe gjatë të dielës. Tri prej këtyre çmimeve, Gaga i ndau me pop-yllin Ariana Grande për bashkëpunimin e tyre të suksesshëm, “Rain On Me”.
Kënga arriti të triumfojë në kategori si: “Kënga më e mirë e vitit”, “Bashkëpunimi më i mirë” dhe “Kinematografia më e mirë”. Dy këngëtaret e famshme amerikane po ashtu e performuan live hitin e tyre, për herë të parë në ceremoninë shpërblyese, e cila arriti t’i respektojë të gjitha rregullat e distancimit social. Lady Gaga gjithashtu i fitoi çmimet “Artistja më e mirë e vitit” dhe çmimin special, i cili u nda për herë të parë në historinë e kësaj ceremonie, “Tricon Award”, që e nderon artin e saj dhe angazhimet e fushën e bamirësisë. Grupi jug-korean “BTS” i fitoi katër shpërblime. Grupi u shpërblye në kategoritë “Grupi më i mirë”, “Kënga më e mirë pop”, “Best K-pop” dhe “Koreografia më e mirë”. Krejt këto çmime grupi i mori për hitin “On”.
Grupi i njohur nga Koreja Jugore po ashtu performoi këngën më të re me titull, “Dynamite”. Çmimi “Videoklipi më i mirë i vitit” shkoi për këngëtarin The Weeknd dhe hitin e tij “Blinding Lights”. Gjatë mbrëmjes, ai u nderua me çmimin “Kënga më e mirë R&B”. Këngëtari i shfrytëzoi të dyja fjalimet e tij për të bërë thirrje për drejtësi për rastet e vrasjes së afroamerikanëve Jacob Blake dhe Breonna Taylorit. Miley Cyrus triumfoi në dy kategori së bashku me Taylor Swift, Megan Thee Stallion, Doja Cat, Maluma, J Balvin dhe të tjerë.
Ceremonia e cila fillimisht ishte planifikuar të mbahej në qendrën “Barclays” në Brooklyn, por ishte zhvendosur në disa lokacione në ambient të hapur, për shkak të pandemisë së koronavirusit, u drejtua nga aktorja dhe këngëtarja Keke Palmer. Prezantuesja e hapi ceremoninë me një fjalim që e nderoi aktorin e ndjerë të filmit “Black Panther”, Chadwick Boseman, që vdiq të premten më 28 gusht, pas një beteje katër-vjeçare me kancerin.