8 Shtator, 2018 - 4:30 pm
Dje, më datë 7 shtator 2018, në Galerinë Kombëtare të Arteve eshte bërë ceremonia e hapjes së ekspozitës së parë personale të artistes Flaka Haliti në Shqipëri, shkruan KultPlus.
“Jemi shumë të lumtur që një publik i gjerë nga Shqipëria dhe Kosova iu përgjigj ftesës sonë për të na u bashkuar në këtë prezantim të parë të Halitit në Galeri. Për ne ishte një moment i bukur të shihnim të rinjtë, artistët, artdashësit, profesionistët e kulturës etj. nga të dyja vendet të cilët së bashku me vizitorët e ardhur nga jashtë dhe ndërkombëtarët që jetojnë në Shqipëri, bisedonin me njëri-tjetrin në kontekstin e një ngjarje artistike të rëndësishme në fushën e arteve pamore në Tiran”, shkruhet në njoftimin e GKA-së.
Ekspozita u vizitua edhe nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Kujtim Gashi, si dhe Ministri i Kulturës së Maqedonisë Asaf Ademi.
Gjatë fjalës hyrëse, Drejtori i Galerisë, z. Erzen Shkololli falenderoi të gjithë të pranishmit që ishin mbledhur për këtë ceremoni, si edhe artisten Flaka Haliti dhe kuratoren Leonie Radine të cilat pranuan ftesën e Galerisë Kombëtare të Arteve për të sjellë në Shqipëri këtë ekspozitë të përmbledhjes së punës 5-vjeçare së Halitit, pas shfaqjes së saj në Kunsthalle Lingen dhe Kunsthaus Hamburg, Gjermani.
Shkololli theksoi se kjo ekspozitë, në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor Shqipëri-Kosovë reflekton shumë mirë këtë bashkëpunim të frytshëm të të dy qeverive në fushën e arteve pamore dhe promovimin e artistëve pamorë nga Kosova dhe Shqipëria.
Më pas fjalën e mori Leonie Radine, kuratorja e ekspozitës “Këtu – Apo Atje, Është Më Atje”. Ky titull sipas kuratores është “ngacmimi” i parë për publikun për të ardhur dhe vizituar ekspozitën, pasi refuzon përcaktimet e ngurta mbi hapësirën dhe shtyn vizitorët të kuptojnë veprat e artistes përtej vendndodhjes ku kjo ekspozitë shfaqet. Znj. Leonie falenderoi Drejtorin e Galerisë që i besoi kurimin e ekspozitës së parë të Halitit në Shqipëri, ekspozitë e cila shenjoi dhe bashkëpunimin e parë midis artistes dhe kuratores në fjalë.
Falenderimet e Leonie-së shkuan edhe për Ministritë e Kulturës së Shqipërisë dhe Kosovës. Flaka Haliti përmbylli fjalën hyrëse duke shprehur emocionet e saj për hapjen e kësaj ekspozitë, dhe falenderoi edhe një herë Ministritë e Kulturës së Shqipërisë dhe Kosovës që bënë të mundur realizimin e “Këtu – Apo Atje, Është Më Atje” në Galerinë Kombëtare të Arteve.
Artistja e sheh këtë bashkëpunim midis dy qeverive si një mundësi shumë të mirë për artistët nga Shqipëria dhe Kosova për të ndarë përvojat e tyre në fushën e arteve pamore dhe për tu prezantuar tek publiku i të dy vendeve. Për të gjithë stafin e Galerisë ishte një kënaqësi e madhe të dëgjonin Flakën teksa përmendte emrat e gjithësecilit për t’i falenderuar për punën e tyre dhe dedikimin maksimal në këtë ekspozitë. Më pas, të gjithë të pranishmit hynë në sallën e ekspozitave të përkohshme për të vizituar ekspozitën, ndërkohë që në fund të saj u shërbye edhe një koktejl në tarracën e Galerisë.
Jeni të ftuar të vizitoni ekspozitën “Këtu – Apo Atje, Është Më Atje” nga Flaka Haliti/kuruar nga Leonie Radine çdo ditë jave nga ora 09:00 deri në orën 19:00./ KultPlus.com