14 Shkurt, 2022 - 9:40 am
Sot shumë e festojnë këtë ditë por me shumë mundësi nuk e dini pse? Pse festohet Shën Valentini? Pse sot? Pse ka kaq shumë rëndësi?
Le të nisim me Shën Valentinin – ose Valentinët. Në fakt ka disa Valentinë, të gjithë martirë, që lidhen me festën. Sidoqoftë, Shën Valentini i Ternit është më i famshmi.
Nën sundimin e Klaudit II, ushtria romake përbëhej thuajse vetëm nga burra beqarë. Për t’u shpëtuar jetët, Valentini, i cili ishte peshkopi i Ternit asokohe, martonte çifte që t’i mbante burrat larg luftës.
Për fat të keq, perandorit s’i pëlqeu ky romanticizëm dhe i preu kokën peshkopit në periferi të Romës.
Ekziston dhe një histori tjetër më pak e dhunshme se kjo. Një burrë i quajtur Valentin, i burgosur nga romakët, i dërgoi një letër gruas që dashuronte me nënshkrimin, ‘Nga Valentini yt.” Dhe siç thuhet, ajo letër nxiti kartolinat e Shën Valentinit.
Kjo shpjegon pse emri lidhet me dashurinë, por s’shpjegon festën?
Meritat i takojnë Lupercalia, festës pagano-romake për fertilitetin. Gjatë festivalit, sakrifikoheshin një dhi dhe një qen. Gëzofët zhyteshin në gjak dhe gratë lyheshin me lëkurët e kafshëve të vdekura. Nuk e dimë si, por kjo supozohej t’i bënte më fertile.
Për sa i përket finales së Lupercalia – që e ka marrë emrin nga Lupa, ulkonja që rriti Remin dhe Romulin. Gratë vendosnin emrat në një shportë dhe burrat i zgjidhnin. Çiftet e formuara rastësisht qëndronin bashkë deri në fund të festivalit. Zakonisht, martoheshin.
Në fund të shekullit të 5-të, Lupercalia u ndalua nga Papa Gelasius, i cili e shpalli 14 shkurtin Ditën e Shën Valentinit. Shumë kohë më vonë, kjo ditë filloi të lidhej me dashurinë. Në Angli dhe Francë besohej se në mes të shkurtit, ngaqë zogjtë nisin çiftëzohen, duhet kremtuar dashurinë.
Kupidi është simbol i Shën Valentinti sepse sipas poetëve të vjetër grek, ai ishte një i pavdekshëm i pashëm që luante me emocionet e Zotave dhe njerëzve përmes shigjetave të arta që ngjallnin dashuri. Gjatë periudhës helenistike, ai nisi të imagjinohej si një fëmijë i shëndoshë dhe i praptë.
Ana komerciale e Shën Valentinit, me kartolinat dhe dhuratat, e pati zanafillën në shekullin e 19 me Esther Allen Howland.
Sipas një artikulli të vitit 2017 nga Time, Howland konsiderohet si Nëna e Valentinit Amerikan. Gjatë viteve 1850, kartolinat e Shën Valentinit ishin shumë të shtrenjta dhe importoheshin nga Europa.
Howland vendosi t’i bënte vetë dhe t’i shiste me një çmim të arsyeshëm. Në majën e karrierës, ajo fitonte 100 mijë dollarë në vit, që me standardet e sotme kap vlerën e miliardave./ KultPlus.com