5 Maj, 2019 - 9:02 pm
Festivali “Erdh lezeti” sot para publikut kosovar solli performanca unike e tinguj muzike nga e gjithë bota. Për rreth 9 orë, 7 bende e mbi 45 artistë vendor, rajonal dhe ndërkombëtar performuan muzikë live në festivalin i cili u mbajt në Prishtinë në rrugën para kafesë Dit’ e Nat’, shkruan KultPlus.
Ky festival këtë vit shënon edicioni e 6-të të tij i cili mbahet çdo herë me 5 maj, në të cilin festohet dita e Shën Gjergjit e cila simbolizon kalimin nga stina e dimrit në stinën e verës. Tetë muaj i janë dashur organizatorëve që të realizohet ky edicion, i cili u cilësua si edicioni më i veçantë për shkak të programit të pasur që kishte.
Ndër bendet që performuan në këtë festival ishin Dub Pistols nga Britania, Edo Maajka nga Kroacia i cili njihet si një nga reperët më të njohur të Ballkanit, The Bloody Foreigners që janë bendi kosovar që veprojnë në diasporë, Art Lokaj performues nga Kosova dhe shumë bende të tjera.
Organizatori i këtij festivali Bajram Kafu Kinolli, tha për KultPlus që ky organizim është një festë që është organizuar për shënimin e festës së Shën Gjergjit dhe se institucionet i kanë përkrahur aq sa kanë mundur në organizimin e këtij festivali.
“Kjo është një festë, një festë e mahallës, ne e quajmë si festival për shkak se njerëzit nuk janë mësuar ende që ta quajnë festë. Ky është një party i mahallës që organizohet për festen e Shën Gjergjit. Institucionet na kanë përkrahur aq sa kanë mundur, duke pasur parasysh buxhetin që ndahet për organizimet që bëhen në kulturë” tha Kinolli për KultPlus.
Me një repertoar të ngjeshur e të përzgjedhur me kujdes, Erdhlezeti shfrytëzon muzikën si mjet të integrimit shoqëror, duke i inkurajuar të gjithë Kosovarët ta festojnë Shën Gjergjin së bashku. Mirëpo përtej muzikës për adhuruesit e këtij festivali, theksimi dhe familjarizimi me kulturën rome zë po ashtu një vend të rëndësishme. Këtë e theksoi edhe Beca Luci e cila ndoqi këtë festival.
E redaktorja e portalit Kosovo2.0 Besa Luci, tha që organizimi i një festivali të tillë, në të cilin shënohet festa Shën Gjergjit, është shumë rëndësishme për arsye së shqiptarët mund të familjarizohen më shumë me kulturën rome.
“Është një ngjarje shumë e rëndësishme kulturore në të cilën marrin pjesë bende dhe artist prej vendeve të ndryshme që performojnë në Kosovë. Ajo që është me rëndësi për këtë festival është që shënohet edhe dita e Shën Gjergjit, festës së romëve, ku në këtë festival bendet performojn muzikë rome. Organizimi i një festivali të tillë është shumë me rëndësi, sidomos për shqiptarët në Kosovë që me u familjarizu më shumë më kulturën rome, pjesë e së cilës është edhe muzika, të cilën këtë festival gjatë viteve e ka bërë të veçantë”, tha Besa Luci për KultPlus.
Po ashtu ajo e cilësoj këtë festival si të veçantë edhe për faktin që në këtë ngjarje kanë marrë pjesë bende nga vende të ndryshme të botës, të cilat përmes muzikës kanë bërë shkëmbimin e kulturave të vendeve të tyre./ Gzim Mujaj / KultPlus.com/Photos by: Milica Kinolli Milović & Fisnik S. Dobreci.