15 Qershor, 2024 - 9:37 am
Aktori i njohur Jehon Gorani me rolin e “Shaqës” ka fituar çmimin për rolin më të mirë në filmin e metrazhit të gjatë në “Dea Film Festival”, përderisa regjisori Alban Zogjani është shpërblyer me çmimin special për media, me filmin ‘Okarina’, shkruan KultPlus.
Lajmin për media e ka bërë të ditur aktori Gorani përmes një shkrimi në facebook.
“Filmi ishte nje rrugetim i jashtezakonshem. #Okarina flet per thyerjen e normave të shoqerisë në kërkim të një të ardhme më të mirë. Besoj se secili që ka kaluar nëpër peripetitë e jetës në mërgim e gjen vehten në ndonjë element të këtij filmi.
Isha në garë, mes tjerash edhe me aktorin e filimit “Disco boy” që u vlerësua në festivalin #Berlinale.
Juria bëri përzgjedhjen, e mua me la falenderues deri në pafundësi”, ka shkruar Gorani në facebook.
Filmi i metrazhit të gjatë “Okarina” me regji të Alban Zogjani dhe me skenar të Albana Mujës, e vendos shikuesin ne brendësi të privatësisë dhe përditshmerisë së një familjeje emigrantësh kosovarë në të 2000 – tat e hershme, përmes së cilës shpërfaqë historitë e patreguara të shumë shqiptarëve të humbur në kohë e ekzistencë.
Ky film gërsheton në vete problemet e të qenit emigrant, ndryshimet dhe tranzicionet e sjella nga jetesa në perëndim dhe mënyrat e përballjes me to.
Aktorët që luajnë në film janë: Jehon Gorani, Shengyl Ismajli, Rina Krasniqi, Flaka Latifi, Arta Selimi dhe Kastriot Shehi./ KultPlus.com