Flaka Goranci magjeps publikun çek me një nga rolet më eminente për soprano

19 Mars, 2020 - 1:00 pm

Fotografitë: Martin Popelar

Pak para përhapjes së Koronavirusit, shkak i të cilit u ndalën edhe të gjitha aktivitete kulturore e artistike, Flaka Goranci ka pasur një paraqitje të mahnitshme në Çeki.

Në Teatrin e Operës në qytetin Ostrava të Çekisë, Goranci ka realizuar debutimin e dyfishte duke interpretuar një nga rolet më eminente për soprano, atë të Amelias në Operën ”Un Ballo in Maschera”, shkruan KultPlus. 

Roli i Amelias, konsiderohet si një nga rolet më të vështira për soprano që kompozitori italian Giuseppe Verdi ka shkruar.

Teatri i Operës në Ostrava qëndron në rangun e tre teatrove më të suksesshëm në Ceki.

Deri më tani, Flaka ka realizuar role të ndryshme në Austri, vendin ku edhe jeton, pastaj në Gjermani, Belgjike, Israel, Shqipëri dhe së fundi edhe në Ceki.

Për vet Flakën kjo eksperiencë e fundit ka qenë një sfidë e madhe për dy arsye kryesore.

“Është hera e parë që realizoj një rol kaq impenjues për soprano, meqenëse deri më tani kam kënduar vetëm repertor për Mezzo-soprano. Përpos kësaj, ka qenë poashtu edhe projekti im i parë pas lindjes, duke ditur që pas lindjes për çdo grua është e vështirë të kthehet në formën e mëhershme e sidomos për këngëtaret meqë tashmë shumë gjëra kanë ndryshuar”, ka thënë Goranci për KultPlus, duke treguar tutje se kjo ka qenë një nga sfidat më të mëdha në karrierën e saj të deritanishme.

“Sfidë e cila më bëri të realizoj një nga rolet më kërkuese të repertorit Verdian në një nga teatrot më të mira që ka Çekia”, ka përfunduar Flaka Goranci. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=5wgw9lh15U0

Të ngjajshme