14 Dhjetor, 2024 - 5:31 pm
Fragment nga libri “Masakrat në Kosovë 1998-1999” për masakrën në kafeterinë Panda:
«Më 14 dhjetor 1998, dy persona të maskuar hapën zjarr në kafeterinë ‘Panda’ në Pejë, duke lënë të vrarë 6 të rinj sërbë (pesë gjimnazistë e një student), që të gjithë meshkuj civilë të paarmatosur. Ndonëse autorët e këtij krimi nuk diheshin, Presidenti i RFJ-së, Slobodan Milošević, e cilësoi këtë sulm si «krimin më monstruoz në serinë e sulmeve të bandave terroriste shqiptare».
Mirëpo, Përfaqësuesi i Përgjithshëm Politik i UÇK-së, Adem Demaçi, mohoi përfshirjen e UÇK-së në këtë rast: «UÇK-ja, që kur ka nisë lufta, nuk ka bërë kurrë gjëra të tilla dhe nuk ka arsye që të bëjë tani… Qeveria e Sërbisë mund të jetë e involvuar në këtë incident për të provokuar ‘urrejtje dhe konflikte mes dy kombeve’».
Deri më 28 dhjetor 2013, familjarët e të vrarëve në ‘Panda’ kanë qenë të bindur se fëmijët u janë vra nga pjesëtarë të UÇK-së. Në këtë datë, zëvendës-kryeministri i Sërbisë dhe shefi i Byrosë për Koordinimin e Punës së Shërbimeve të Sigurisë, Aleksandar Vučić, (aktualisht President i Sërbisë) në emisionin ‘Teška reč’ në TV Pink deklaroi se «Krimi në ‘Panda’ nuk është kry nga shqiptarët, siç kemi besuar deri më tani. Publiku do të tmerrohet kur të zbulohet e vërteta».
Po bëhet çerek shekulli nga vrasja e tyre dhe, fatkeqësisht, autoritetet e Kosovës nuk i përkujtojnë kurrë: Ivan Obradović-in, Vukota Gvozdenović-in, Zoran Stanojević-in, Dragan Trifunović-in, Svetislav Ristić-in dhe Ivan Radević-in.
Respekt për të gjitha viktimat e luftës 1998-1999, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, fetare, gjinore, racore, krahinore, politike, e me radhë./ KultPlus.com