Funari, destinacioni i të apasionuarve pas sporteve të aventurës

20 Qershor, 2023 - 11:30 pm

Funari, 20 kilometra larg qytetit të Elbasanit, është kthyer vitet e fundit në destinacionin e të apasionuarve pas sporteve të aventurës.

Në Funar, veç bukurive që ofron natyra mund të ushtrohen sportet e aventurës si  parashutizmi, kajake në liqen, hipizëm, çiklizëm malor, ecje dhe ngjitje në shtigjet malore.

Në Funar gjatë vitit të kaluar ka nisur puna edhe për pistën e parashutizmit, hapjen e 75 km shtigje malore, si dhe ndërtimin e pikës së informimit të vizitorëve.

Funari është një zonë e pasur me pyje dhe me katër liqene apo rezervuarë, ku dy ndodhen brenda fshatit dhe dy të tjerë të fshehur pas maleve që e rrethojnë atë.

Deri pak kohë më parë, Funari ishte thuajse i harruar për nga vetë infrastruktura e amortizuar, pasi duheshin tri orë për rrugën që sot mund ta përshkosh për 1 orë. E pasur me pyje pishash dhe dushku, Funari ofron një klimë të shëndetshme që, nëse i shtojmë dhe gatimet tradicionale të zonës, bëhet vendi ideal për të kaluar fundjavën.
Por jo vetëm kaq, kjo zonë mund të jetë një destinacion edhe për të pasionuarit pas peshkimit./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme