19 Janar, 2019 - 8:04 pm
Atdhe Hykolli
Përse kanë hyrë mësimdhënësit në grevë?
Qarqe e mediume të afërta me Qeverinë janë duke u përpjekur që grevën ta interpretojnë të thjeshtuar si një kërkesë të mësimdhënësve për rritje pagash. Kjo është një gjysmë e vërtete pa pjesën më të bukur të saj. Ta interpretosh kështu grevën, është njësoj si ta prezantosh Mona Lizën pa buzëqeshjen e saj apo “Flautën magjike” të Moxartit pa arien “Mbretëresha e natës”.
Jo. Greva e mësimdhënësve është protestë ndaj politikave të gabueshme dhe të dëmshme të Qeverisë së Kosovës në arsim. Këto politika të dëmshme janë ilustruar edhe përmes lënies krejt anash të arsimtarëve dhe të arsimit përgjithësisht në prioritetet e pagave nga shteti i Kosovës. Greva, pra, është për ta kundërshtuar rrënimin e sistemit të vlerave në shoqërinë e Kosovës.
Qarqet qeveritare janë përpjekur t’u thonë qytetarëve se arsimi në Kosovë është i dobët dhe se mësimdhënësit as nuk meritojnë paga më të mira. Këto të njëjta qarqe thonë, po ashtu, se “qe: shkaku i pagave të arsimtarëve po na vuajnë nxënësit”. Mirëpo, cila është e vërteta e plotë?
Po, është e vërtetë se arsimi në Kosovë mund të jetë ndryshe e më cilësor. Nuk është si do të duhej, pikërisht për shkak të politikave shtetërore ndaj arsimit. Ato politika e kanë degraduar sistemin arsimor si shumë sfera të tjera të jetës (shëndetësia po e zëmë), e kanë ulur vlerën e arsimtarit dhe ia kanë vështirësuar të ardhmen brezave një nga një, duke u ofruar shkollë jocilësore. Koeficienti i ulët për mësimdhënësit nuk është vetëm çështje e pagave. Më shumë se kaq, është dokument-dëshmi se ky pushtet nuk e ka ndërmend të përmirësojë cilësinë e arsimit. Përkundrazi, ai e ka ndërmend që ta lërë arsimin në fund të listës së interesave shtetërore: duke i pasur para arsimtarëve deri edhe shoferët të krerëve shtetëror.
Po ashtu, po, është e vërtetë edhe se për shkak të grevës, nxënësit janë duke pësuar tani. Ata janë duke mos shkuar disa ditë në shkollë. Mirëpo, cila është humbje më e madhe: Humbja e disa ditëve shkollë, apo shkatërrimi sistematik i shkollës në Kosovë, duke gjymtuar breza të tërë rresht. A është më mirë të mos shkojnë në shkollë disa ditë, apo të kenë vite të tëra shkollimi jodinjitoz?
Politikat merren me probleme të emergjencave. Kultura e një vendi ndërtohet për dekada të tëra rresht, nga kreativiteti dhe dituria që sjellin brezat njëri pas tjetrit. Nëse politikat e pengojnë një gjë të tillë, atëherë do të preket jo një periudhë e shkurtër, por krejt e ardhmja e atyre fëmijëve.
Të thuash se arsimtarët nuk meritojnë paga më të mira, sepse në mesin e tyre ka arsimtarë të dobët (shkaku i politikave shtetërore të punësimit) është njësoj si të thuash se duhet të mos bëjmë fëmijë, sepse disa prej tyre kur po rriten po bëhen kriminelë, papunëtorë e mashtrues. Është njësoj si të thuash, shkolla qenka e dobët, hajde ta mshelim krejt. Të kthehemi në analfabetizmin e 100 vjetëve më parë – e 100 vjet nuk është shumë në histori.
Dinjiteti i arsimtarëve është ulur për shkak të veprimeve korruptive gjatë përzgjedhjes së arsimtarëve, për shkak të modeleve të gabueshme arsimore, për shkak të ndërhyrjeve nga jashtë dhe mungesës së strategjive të mirëfillta zhvillimore në arsim. Koeficienti i ulët i pagave për ta tash vjen si vulë për të treguar se ky pushtet arsimin e do të tillë: të degraduar dhe pa dinjitet.
Prandaj, jo. Greva nuk është për pagat. Greva është për shkak të politikave të këqija qeveritare në arsimin e Kosovës, të manifestuara në mënyrë të tmerrshme përmes kuotizimit të ulët të pagave të mësimdhënësve në raport me gjithçka tjetër. Greva është protestë ndaj pushtetit dhe kërkesë për rritjen e vlerës së arsimit të Kosovës. Greva është kërkesë që ky pushtet të mendojë më mirë e më shumë për arsimin e Kosovës, sepse arsimi i Kosovës është investim në të ardhmen e vendit.
Prandaj, qeveritarët do të duhej të uleshin e ta shtien lapsin edhe një herë e ta kuptojnë se arsimi i Kosovës dhe roli i mësimdhënësit si dhe dinjiteti i tyre janë më të rëndësishëm se postet. Mandatet qeveritare dhe interesat e pushtetit janë afatshkurtra. Dëmi që krijojnë ato mund të jetë me pasoja të mëdha, se shkatërron sistemin e vlerave brenda shoqërisë. Nëse ata nuk e bëjnë një gjë të tillë, atëherë po: le t’i humbim disa ditë a javë a muaj të një brezi, për hir të brezave që do të vijnë.
Shkrimtari i madh amerikan William S. Burroughs njëherë ka diskutuar për qëllimet e shkollës. “Arsimi synon dijen, jo të fakteve, por të vlerave”, ka thënë ai. Për këto vlera edhe ne jemi në grevë.
(Autori është profesor në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Edukimit) /Zeri.info/ KultPlus.com