16 Dhjetor, 2018 - 12:00 pm
Korça, e simbolizuar dhe si “Parisi i Vogël”, një epiqendër e kulturës dhe e zhvillimit të vendit tonë, me një histori të lashtë dhe tepër diversive, e banuar që nga mijëvjeçari i katërt p.e.s., me vendbanim të quajtur “Fushëgropa e Korçës” që udhëhiqej nga një dinasti e Mbretërisë ilire, e dëshmuar nga arkifakte të shumta si ato të gjetura në Kamenicë, Podgorie, Maliq e Devoll, edhe sot mbetet një nga qendrat më të vizituara në vend.
Kush e ka vizituar Korçën ka vizituar një pjesë të historisë, kulturës dhe elitës shqiptare.
Edhe Mesjeta ka lënë gjurmët e saja në këtë qytet interesant. Në qendër të qytetit ndodhet Pazari i Vjetër, me ndërtesat karakteristike të periudhës mesjetare që përfaqësojnë më së miri traditën dhe historinë e kësaj periudhe. Duke filuar që nga gurët e kalldrëmit, e deri te çatitë e shtëpive, çdo element, çdo veçori plotëson në mënyrë harmonike zonën më të bukur të qytetit. Pra, në qendër të Korçës ndodhet Pazari i Vjetër dhe në qendër të tij, menjëherë të bie në sy “Hani i Pazarit”, ndërtesa 350-vjeçare, e restauruar tërësisht për herë të parë pas periudhës së diktaturës.
Deri vonë kjo ndërtesë ka mbajtur emrin “Hani i Elbasanit”, pasi në të vinin shumë tregtarë nga ky qytet. Këtë dëshmi e jep dhe Eda Kucaj, pronarja e “Hanit të Pazarit” me profesion arkitekte, e cila me iniciativën e saj mori përsipër ta kthejë këtë vend në një nga pikat më atraktive të qytetit për turistët vendas dhe të huaj. “Janë të shumtë vizitorët që mbushin ambientet hotelerike të këtij kompleksi, sidomos gjatë fundjavave. Ata janë bujtës vendas dhe të huaj, që shumica bëhen kuriuozë për vlerat historike të këtij mjedisi, por dhe për atë që është arritur pas restaurimit, thotë ajo për ATSH.
Me një hapësirë prej 730 metra katrorë, aty gjen mjedise nga më të ndryshmet: hoteleri, restaurante, bare me muzikë live dhe mjedise lojërash argëtuese. Të gjitha në shërbim të vizitorit në të katër stinët e vitit. Korçës iu rikthye dhe një monument historik, por tashmë në aktivitetin e tij të plotë si dikur, por me ndryshimin se nuk stacionohen më karvane kuajsh që vinin nga Elbasani e jugu i vendit që udhëtonin drejt Stambollit, por parkohen makina e autobusë turistësh të huaj e vendas. “Hani i Pazarit” një tjetër gur i çmuar në trazhgiminë e kulturës dhe historisë korçare. /KultPlus.com