Imazhet e jashtëzakonshme të fotografit amerikan, Gregory Crewdson në muzeun ‘Marubi’

21 Dhjetor, 2024 - 10:15 pm

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” në bashkëpunim me  Gallerie d’Italia Muzeu i Intesa Sanpaolo-s kanë hapur pasditen e djeshme ekspozitën “Eveningside. Gregory Crewdson” kuruar nga Jean-Charles Vergne.

Ekspozita e një prej fotografëve amerikanë më në zë, vjen për herë të parë në Shkodër dhe u bë e mundur falë mbështetjes së Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Drejtori i Muzeut “Marubi”, Luçjan Bedeni thekson se “hapja e ekspozitës Eveningside e fotografit me famë botërore Gregory Crewdson shënon një ngjarje të rëndësishme për skenën e fotografisë në Shqipëri. Sjell në vëmendje që ky autor është ekspozuar në muzeumet më prestigjioze në New York në The Museum of Modern Art – MoMa, Guggenheim Museum, Whitney Museum of American Art, në Londër në Victoria and Albert Museum, në Vjenë në Albertina Museum, në Torino në Gallerie D’Italia, në Arles në festivalin Rencontres de la photographie dhe aktualisht në Shqipëri në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi””.

Sipas tij, realizimi i kësaj ekspozite në Muzeun Marubi rikonfirmon edhe njëherë seriozitetin e institucionit ndër vite dhe programit të një niveli sikur homologët e tjerë në Evropë.

Ekspozita prezanton vepra nga tre seritë e krijuara midis viteve 2012 dhe 2022.

Të parashikuara si një trilogji, ato paraqesin një pasqyrë unike në një dekadë krijimtarie dhe zbulojnë dy boshtet qendrore – intime dhe politike – të universit që e ka paraqitur Gregory Crewdson si një nga figurat kryesore të fotografisë.

Gregory Crewdson, gjatë tre dekadave të fundit ka mishëruar një portret të Amerikës së Mesme, atë Amerikë të periferisë me gardhe të drunjta që sodit me sy të stërhapur shkëlqimet e një ëndrre të venitur, e cila prej kohësh është e zbehur dhe e fishkur.

Drejtor i përgjithshëm i Gallerie d’Italia, Michele Coppola është shprehur lidhur me hapjen e kësaj ekspozite në Shkodër: “ Puna me fotografët më të rëndësishëm të botës përmes komisionimit të veprave që trajtojnë tematika bashkëkohore, nënkupton shtrirjen e projektit të Muzeut të Intesa Sanpaolo-s, Galleria d’Italia përtej kufijve të vendit. Në këtë kontekst, ekspozita Eveningside, fillimisht prezantuar në Torino me pas në Francë dhe Finlandë, tani ka mbërritur në Shqipëri. Kjo iniciativë nxit një dialog ndërkombëtar që merr shkas nga bashkëndarja e imazheve të jashtëzakonshme të Gregory Crewdson”./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme