29 Korrik, 2018 - 12:33 pm
Nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës.
Kur duhej të lexohej vepra e Adem Demaçit në bibliotekë, ajo ishte në fond, por nuk jepej për ta lexuar. Vepra e Adem Demaçi ishte e humbur për dhe në biblioteka, e humbur për 40 vjet për të mos u lexuar as në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Jo vetëm kaq, edhe për të si njeri, që pati guximin intelektual të luftojë kundër represionit shtetëror, nuk kishte mundësi të lexohej gjë. Adem Demaçi ishte heroi i vërtetë i këtyre dy shekujve, që mund të merrte vëmendjen e njeriut, të lexuesit, të autorëve, tek pas 28 vjet burgu të jetës së tij. Dhe, kur dyert e bibliotekës tashmë janë të hapura për veprën e tij, ai do të bashkohet me shoqërinë e autorëve dhe njerëzve të përjetshëm.
Bibliotekat e Kosovës tashmë i kanë librat e Adem Demaçit dhe librat për Adem Demaçin. Ata bëjnë jetën e tyre në raftet për t’u marrë, për t’u lexuar, për t’u lëvizur gishtat nëpër faqet e tyre, për t‘u mbajtur mend. Ky akt i heshtur, një herë, dhe i leximit më pas, tregon historinë e autorit të ndaluar të Kosovës – Adem Demaçit, i cili ndërroi jetë të enjten e pasdites së 26 gushtit të këtij viti.
Vepra e tij dhe jeta e tij në Kosovë u hesht – pa asnjë koment, pa asnjë ligjërim publik e të publikuar, deri pak kohë para lirimit nga burgu në vitin 1990. As vepra Gjarpijt e gjakut nuk u mor përsipër prej askujt për t’u analizuar apo komentuar për lexuesin shqiptar, qoftë dhe për një tipologji të përgjithshme mbi të. Ai ngjau si një autor e njeri jo i gjallë në biblioteka, deri kur u lirua nga burgu.
Fati i historisë së leximit të veprës së Adem Demaçi, siç edhe i vetë jetës së tij, janë unike, si të askush tjetër autori të letërsisë shqipe të Kosovës.
Në homazh e nderim të tij, kujtojmë se për veprat e shkrimtarit dhe të atdhetarit Adem Demaçi, i njohur si autor i ndaluar, simboli i rezistencës kombëtare dhe mbrojtësi më vetëmohues i të drejtave të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, i lirisë, pavarësimit dhe pavarësisë së Kosovës, po punohet në projektin ideal të vjeljes – grumbullimit dhe përpunimit të gjithë kulturës shkrimore, botimeve, dokumenteve, fotografive, rrëfimeve për të.
Biblioteka Kombëtare e Kosovës është mbërthyer në aktivitetin që përkon me çfarë krijohet dhe çfarë ruhet nga trashëgimia e shtypur dhe jo e shtypur për Demaçin, çfarë ka e çfarë nuk ka biblioteka nga trashëgimia letrare, politike e publicistike e tij dhe për të, të një rrjeti burimesh me vlerë, dokumentesh e materialesh arkivore, botime autorësh, vendesh e gjuhësh të ndryshme për të përgatitur bazën e të dhënave bibliografike për këtë autor.
Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës emri i autori Adem Demaçi, sipas librit të inventarit rezulton të ketë hyrë, për herë të parë, me përkthimin që ai i ka bërë librit të fushës së mbrojtjes së mjedisit, të autorit kroat Millan Kaman Çka âshtë jeta, i regjistruar në fondin e bibliotekës më 25 shtator 1962, me numër të signaturës II-1281, ndërsa që romani i tij Gjarpijt e gjakut i botuar në Prishtinë më 1958, është regjistruar në librin e inventarit më 27 prill të vitit 1967, me numër të signaturës II 22575.
Mbi të dhënat bibliografike, qëndron gjurma e pashlyeshme e jetës së një skede të librit Gjarpijt e gjakut, skedë që mund ta shihje në skedarin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës nga prilli i vitit 1967, por jo të mund ta kishe librin për lexim. Pra, në mënyrë krejt të pabesueshme e shihje të qasshëm informacionin që bartte kjo skedë për ekzistimin në fond të librit Gjarpijt e gjakut, ndërsa që nuk jepej për lexim. Ky libër pati fatin e librit të ndaluar në Kosovë për 41 vjet, nga koha kur u botua në vitin 1958, e deri në vitin 1999, ndërsa në fondin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës hyri 9 vjet pas botimit, duke qenë libër nën censurën e leximit. Nuk iu besua askujt leximi i tij, përveç atyre që mund të kenë pasur autorizim nga komiteti për hetim. Pra, Adem Demaçi ishte autor i ndaluar, ndërsa që vepra e tij Gjarpijt e gjakut, një vepër e ndaluar për të mos e njohur as autorin. Pra, kjo vepër nuk u lejua të ribotohej, të lexohej, të studiohej si një nga romanet me vlerë të çmuar të letërsisë bashkëkohore shqipe në Kosovë.
Më pas fondet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës kanë vijuar të pasurohen me botime (dhe ribotime) të tjera të cilat autori i ka shkruar pas burgut, si: Gjarpinjtë e gjakut, Gjon Buzuku, Prishtinë, 1990; Gjarpijt e gjakut, Lumi, Ljubljanë, 1990; Kur zoti harron, Zëri i Rinisë, Prishtinë, 1990; Libër për Vet Mohimin, Autori, Prishtinë, 1994; Dashuria kuantike e filanit : nëntë letra elektronike Dardhës, Gjon Buzuku, Prishtinë, 2007; Nëna Shegë e pesë gocat, Interpress Group, Prishtinë, 2009, si dhe Kosova në udhëkryq : intervista gjatë vitit 2005 /Adem Demaçi, Albana Esperanto-Instituto, Tiranë, 2005.
Emri i Adem Demaçit është i njohur edhe si përkthyes në bashkautorësi, i librave: Maksim Gorkit, Fëminija, [përkthyes Sulejman Drini, Adem Demaçi], Milladin Popoviq, Prishtinë, 1957; Leonid Leonov, Hajni, [përkthyes Sulejman Drini, Adem Demaçi], Milladin Popoviq, Prishtinë, 1957.
Në veprën e Demaçit të shkruar pas burgut, në të gjithë librat e tij, pas gjithë vuajtjeve të tmerrshme që përjetoi, përmes gjithë kësaj, vjen një frymë katarse e habitshme, që përfshin një mënyrë të qartë, një kërkim të njerëzores, të rrugëdaljes që e gjen njeriu, duke falur dhe respektuar.
Së fundmi, në shënimin e 70 vjetorit e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, më 25 nëntor 2014, Adem Demaçi kishte pranuar mirënjohje nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës për kontributin e jashtëzakonshëm në afirmimin e çështjes shqiptare dhe qëndrimin vetëmohues ndaj saj, ndërsa më 21 prill të viti 2016, në 80 vjetorin e lindjes së tij në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës është organizuar Ekspozita me libra dhe fotografi nga Shoqata e të Burgosurve Politik e Kosovës, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Instituti Albanologjik dhe Instituti i Historisë.
Pjesëmarrja e fundit e Adem Demaçit në aktivitetet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës ishte më 25 nëntor 2016, në shënimin të 72 vjetorit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, njëherësh dhurimin e Bibliotekës personale të Esad Mekulit për Bibliotekën Kombëtare të Kosovës nga familja Mekuli./ KultPlus.com