Incesti, tradhtia e orientimi seksual i Hamletit pushtuan mbrëmë Teatrin Kombëtar të Kosovës

9 Qershor, 2018 - 3:50 pm

Alberina Haxhijaj

Ata që kanë lexuar veprën e Shekspirit e kujtojnë si veprën më tragjike, tek e cila edhe sot i hedhin sytë. “Hamleti simbas Horacit” me një gjuhë të pasur, e interaktivitet të vazhdueshëm nxjerrë shumë më shumë se kaq, e gjithë kjo punuar nga një dramaturg, regjisor e aktorët shqiptarë. Përballja me pushtetin, lufta me nderin përplasen njëra me tjetrën për gjatë shfaqjes që vjen përmes aktorëve që e sjellin ambientin mbretëror pranë publikut. Mënyra se si lëviz ngjarja e bën fort të theksueshme praninë e incestit. Flitet shumë për dashurinë por asnjëherë pa e lidhur me pushtetin. Kur flitet për dashurinë, i gjendur përballë Horacit, Hamleti ua ka kthyer shpinën të gjithëve. Megjithatë në rend të parë e ka veten e tij.

Drama “Hamleti”, e shkruar mes viti 1599 dhe 1602, përbën një nga dramat më të njohur që ka emocionuar publikun e teatrove të njohura. Me emocione të ndryshme u prit edhe në Prishtinë, ku kjo shfaqje erdhi premierë. Salla e vogël ishte e pamjaftueshme për t’i zënë të gjithë ata që kishin ardhë për të parë premierën e shfaqjes “Hamleti simbas Horacit”, me regji të Ilirjan Himaj e tekst të Ag Apollonit.

Shfaqja erdhi përmes lojës së aktorëve Shkëlqim Islami, Labinot Lajçi, Agron Shala, Kreshnik Malushaj, Valina Muçolli dhe Beslidhje Bytyqi, shkruan KultPlus.

A është e mundur që Poloni mund të ishte dashnor i Gertrudës, Hamleti mund të ishte djalë i Polonit, apo ndoshta i Klaudit, Klaudi mund të dashuronte Ofelinë, Ofelia mund të dashuronte Hamletin, Laertin dhe Polonin, po ashtu Hamleti mund të dashuronte Ofelinë dhe Gertrudën? Dhe, meqenëse Hamleti ka mik të ngushtë, Horacin, ta dashuronte edhe atë? Këto janë vetëm disa dyshime të cilat ia ka veshur veprës së Shekspirit, Ag Apolloni në dramën e tij ““Hamleti simbas Horacit” e cila u inskenua mbrëmë në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Shfaqja fillon aty ku e kishte përfunduar Shekspiri, me Horacin i cili e zbulon nëpërmjet dorëshkrimit të tij historinë e vërtetë të Hamletit. Një histori dhe një vizion i cili mbërthen në vete vende-vende edhe situata nga gjendja aktuale në Kosovë duke treguar se ky mund të konsiderohet edhe verzioni shqiptar i Hamletit. Një ritregim i historisë së Hamletit i ndryshuar, një verzion të cili regjisori Ilirjan Himaj e konsideron unik.

“Rëndësi ka që premiera u pritë mirë nga audienca dhe salla ishte plotë. Publiku reagoi, qeshi dhe u emocionua aty ku ne e kemi paraparë dhe kjo është më e rëndësishmja. Zgjedhja pikërisht e këtij teksti tregon se teksti ka rëndësi të veçantë për mua. Interpretimi që Agu i bënë Shekspirit është shumë interesant. Kemi parë me qindra verzione që i bëhen nëpër botë por ky është një verzion unik i cili ngreh disa hipoteza sesi ka mujt me rrjedh ngjarja e princit Hamlet”, tha ai për KultPlus.

Shfaqja veçohet për vijën e hollë të komedisë, rimat që përdoreshin nga aktorët e që kishin një artikulim të veçantësis dhe me pika të këndimit nga aktorët nëpër disa pjesë të shfaqjes.

“Interpretimi i aktorëve ka qenë krahas tekstit dhe vizionit tim regjisorial i cili nuk ka lënë mangët asgjë, prandaj i falënderoj aktorët për punën që kanë bërë. Nuk është e lehtë që të bëhet një shfaqje në kushtet e skenës së vogël ku mungon sasia e dritave dhe ku salla nuk është shumë adekuate. Megjithëkëtë, ne kemi arrit me e sjell një verzion origjinal të Hamletit”, përfundoi regjisori.

E pikërisht “Hamletit” ashtu siç thotë edhe autori i dramës Ag Apolloni mund t’i bëhen mbi njëqind pyetje dhe mund të jepen po aq përgjigje për të.

“Ishte një shfaqje e këndshme. Regjisori e ka marrë dhe e ka zbërthyer tekstin. Unë isha në pajtim të plotë më atë që e ka bërë regjisori. Sigurisht ky ishte një koncepti i tij, përmes imazheve, me lojë, me koncept regjisorial mirëpo unë jam ndarë i kënaqur”, tha ai për KultPlus.

Ajo që veçohet në këtë shfaqje janë edhe vendi që zënë të huajt e “Hamletit”, Princi Fortinbras, kryekëshilltari Polon dhe shkollari Horac. Ishte pikërisht skena kur Hamleti, vret Polonin i cili qëndronte fshehur pas perdeve, në dhomën e gjumit, të Gertrudës, pikënisje e të gjitha dyshimeve të cilat Ag Apolloni i ka hedhur më vonë në këtë dramë.

“Teksti ka qenë fitues i çmimi për Dramën Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” dhe teatri ka qenë i obliguar që ta shfaqë tekstin fitues. Sigurisht që dramaturgët shqiptarë, kosovarë pretendojnë skenën shqiptare fillimisht dhe nëse nuk ju ofrohet kjo mundësi ata nuk mund të pretendojnë një sukses ndërkombëtar. Është shumë mirë që edhe teatri por edhe regjisori ka zgjedhur që ta shfaqë këtë shfaqje edhe pse si një lloj hiperteksti dramatik, me një referencë të ‘Hamleti” i Shekspirit. Teksti është tekst shqiptarë autentik i joni dhe me problemet të cilat besojë siç edhe i keni vërejtur prekin edhe aktualitetin shqiptar mirëpo më shumë prekin atë idenë universalë të njerëzimit”, u shpreh Ag Apolloni për KultPlus.

Karakteri kompleksi i Hamletit në këtë shfaqje erdhi përmes lojës së aktorit Shkëlqim Islami i cili u shpreh i lumtur për mundësinë që i është dhënë për të interpretuar në këtë shfaqje.

“Çdo shfaqje e ka sakrificën e vet ku pastaj vjen edhe shpërblimi me duartrokitje. Procesi i shfaqjes na ka zgjatë pak më shumë pas lëndimit që kam pasur dy ditë para premierës. Shpresoj që shfaqja do vlerësohet dhe që e kemi lënë në atë nivelin që e kemi pasur në atë kohë. Hamleti si personazh është shumë kompleks dhe mendoj se aktorëve që u jepet rasti më e sjellë këtë rol janë më fat, prandaj jam i lumtur që në mesin e tyre jam edhe unë. Hamletin jam munduar ta paraqes si një Hamlet klasik edhe pse agu nuk i ka ikë shumë Hamletit klasik. Stili i shfaqjes nuk është stil i zakonshëm dhe ta jep mundësinë që ta luaj një të çmendur në mënyrën komike”, tha Islami për KultPlus.
Në këtë shfaqje Horaci erdhi nga Labinot Lajçi, Poloni dhe Klaudi nga Agron Shala, Laerti dhe Fortinbrasi nga Kreshnik Malushaj, Gertruda nga Valina Muçolli dhe Ofelia nga Beslidhje Bytyqi. Luajtja e dy roleve në të njëjtën shfaqje nuk ka qenë diçka e zakonshme për aktorin Agron Shala.

“Unë kam pasur dy karaktere, diçka që e urrej pra sjelljen brenda një shfaqje të dy karaktereve. Mirëpo, nuk ka mundur që ti them regjisorit jo pasi që e njoh punën e tij dhe e vlerësoj mendimin e tij. Prandaj, e kam shkelur parimin tim e që ka qenë të mos luaj dy role në të njëjtën shfaqje. Megjithëse tani në fund jam shumë i lumtur që e kam bërë këtë pasi që kanë dalë dy karaktere fenomenale dhe po them që mirë ka bo regjisori që më ka caktuar këto dy role”, tregoi Shala për KultPlus duke e çmuar punën e regjisorit një mik të cilit ai i beson e që kanë punuar së bashku në disa projekte.

Kompozitor i kësaj shfaqje ishte kompozitori i njohur kosovar Memli Kelmendi ndërsa skenografia e kostumografia i ishte besuar Agnesa Malushajt. Shfaqja “Hamleti simbas Horacit”. ishte paraparë që të dalë me premierë më 16 prill, por, për shkak të lëndimit të aktorit i cili sjellë personazhin kryesorë të shfaqjes Shkëlqim Islamit, ajo është shtyrë për 8 qershor.

Repriza e parë e shfaqjes është sonte në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës, me fillim nga ora 21:00. / KultPlus.com

Të ngjajshme