16 Maj, 2019 - 4:43 pm
Atifete Jahjaga
Një goditje e rëndë u është bërë sot mijëra të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë me publikimin e pamjeve që tregojnë dhunimin e një gruaje nga forcat ushtarake serbe gjatë luftës! Është e gërditshme, e neveritshme, dhe e turpshme se si një depuetete e Kuvendit të Kosovës, e cila dikur ngriste dorën kundër të drejtave të grave e burrave të dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovë, sot shfrytëzoi pikërisht godinën e Kuvendit për të publikuar para mediave një fotografi që thuhet se dokumenton aktin e dhunimit të një gruaje shqiptare nga tre ushtarë serbë.
Veprimi i deputetës është joetik, joligjor, e jonjerëzor! Publikimi fotografisë cenon rëndë privatësinë e viktimës dhe mund të çojë në zbulimin e identitetit të një dëshmitareje potenciale të krimit që Serbia ka kryer ndaj popullit tonë. Publikimi i asaj fotoje ri-traumatizon viktimën dhe të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe dekurajon të mbijetuarit që të dalin përpara me të vërtetën mbi krimin që është kryer mbi trupat e tyre.
Publikimi i fotografisë është goditje e sërishme ndaj dinjitetit të gruas që shihet në fotografi dhe është një goditje e rëndë për luftën tonë për drejtësi për mijëra gra e burra që u bënë cak i një fushate të egër të dhunimit seksual që Serbia kreu në Kosovë gjatë luftës së 1998-1999 për ta spastruar Kosovën etnikisht nga shqiptarët!
U bëjë thirrje mediave që të largojnë fotografinë nga platformat e tyre për të mos e dëmtuar viktimën edhe më shumë! U bëjë thirrje autoriteteve të drejtësisë që të hetojnë këtë veprim dhe të veprojnë në përputhje me ligjin!
Të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë nuk janë vegla që mund t’i përdorni për spektaklet e juaja politike!/ KultPlus.com