10 Prill, 2019 - 3:21 pm
Për prozën e Nasi Lerës është folur dhe është shkruar mjaftueshëm, si nga kritika ashtu edhe nga lexuesi i rëndomtë. Ky shkrimtar posedon atë mjeshtërinë, përmes së cilës tërheq vëmendjen e çfarëdo lloj lexuesi, sapo libri të dalë në skenë.
Sepse, mund ta them me bindje, që secili prej nesh mund ta gjejmë veten në secilën histori e në secilin personazh të thurur nga autori në fjalë.
Këtë e dëshmon edhe romani i tij i fundit “Kishim një ëndërr” i botuar më 2016, që ndryshe do të mund ta interpretonim edhe si një klithmë për realitetin e rëndë shqiptar, një realitet që vazhdon të përjetohet çdo ditë nga ne.
“Kishim një ëndërr” është roman i shkruar për njeriun e zakonshëm, për vajzat e reja me shpresë e pa shpresë, për përpjekjet e vazhdueshme të shoqërisë shqiptare, për politikën e dështuar dhe për tërë mentalitetin shqiptar.
I shkruar si historia e një regjisori të dështuar, Astit, i cili zë punë si mbledhës i kredive të këqija në një nga bankat e qytetit dhe ish të dashurës së tij, Fedrës, e cila gjithashtu nuk mund të zë një vend pune pa zbërthyer kopsën e parë të këmishës, ky roman kthehet në një histori të tmerrit të realitetit shqiptar.
Në këtë roman do të hasim në një botë ndryshe, në një botë në të cilën njeriu mundohet t’i bëjë keq njeriut, në të cilën njeriu mbijeton vetëm nga urrejtja për tjetrin dhe në të cilën nuk ekzistojnë mirësia, shpresa e ëndrra.
Prandaj vetë autori shprehet se “njeriu ngjall një ëndërr, vetëm për ta vrarë më pas”.
Ajo që e karakterizon romanin e fundit të Nasi Lerës është toni krejt i ndryshëm nga krijimtaria e mëparshme e tij.
Te “Kishim një ëndërr” autori na vjen me një kompozicion krejt origjinal dhe me një teknikë rrëfimi mjaft të veçantë.
Strukturalisht romani përbëhet nga gjithsej njëzet e një kapituj, në numrin e të cilëve kemi ndërrim të vazhdueshëm të narratorëve. Teknikë kjo e cila e bënë ngjarjen edhe më të besueshme.
Ngjarja rrëfehet nga tri personazhet kryesore, nga Asti, Fedra dhe Tim Funerali. Këta të tre përveç se personazhe vendosen edhe në rolin e narratorit autodiegjetik, meqenëse ata rrëfejnë ngjarje ku janë vetë të implikuar, rrëfejnë pjesë nga jeta e tyre.
Por e gjithë veçantia e veprës qëndron te karakteret. Ato zhvillohen pa ndërhyrjen e autorit dhe gjatë leximit të veprës na krijohet një përshtypje sikur vepra është shkruar nga vetë personazhet dhe se autori nuk ekziston fare.
Autori arrin ta shkruajë veprën në vetën e parë dhe njëkohësisht të futet në disa personazhe.
Këto personazhe nuk tregohen por zhvillohen me ngadalë përmes ngjarjeve që në shikim të parë na duken të parëndësishme por që në të vërtetë janë thelbësore.
Vetë titulli i romanit asocion me fatin e karaktereve përmes të cilëve autori na e jep tablon e këtij realiteti aktual.
Asti, një djalë i ri, i cili studioi për regjisurë nuk realizon dot ëndrrën e tij, ai nuk arrin të vë në skenë gërshetimin e Çehovit me Beketin. Ai portretizohet si një dështak i cili kërkon një teatër që ekzistonte vetëm në mendjen e tij.
Në anën tjetër kemi Fedrën në të cilën autori pasqyron një numër të madh të femrave shqiptare të cilat, njëjtë si personazhi ynë janë të detyruara të sakrifikojnë parimet e tyre në mënyrë që të arrijnë diçka në jetë.
Ndërsa kur hedhim sy mbi personazhin e Tim Funeralit, përpara na del një njeri me ëndrra të shuara, një njeri i cili jeton sot për neser, pa asnjë arsye për të vazhduar më tej.
Pra, në këtë roman hasim një galeri të larmishme të personazheve, të cilët edhe pse nuk kanë lidhje me njëri tjetrin, gërshetojnë historitë e tyre duke na sjellë deri te ky realitet i hidhur, që është edhe boshti kryesor i këtij romani.
Personazhet e këtij romani mund t’i ndajmë në dy grupe: në personazhe kryesore, si Asti, Fedra e Tim Funerali dhe në personazhe dytësore si sekretarja, hetuesi, drejtori i bankës, mësuesja e moshuar, vejusha e bukur etj. Ndërsa një numër i madh i personazheve njihen vetem me iniciale. Këto personazhe nuk mund të kalojnë mbi nivelin e idesë, ato mbesin të pazhvilluara.
Të paemërtuara mbesin edhe vendet ku zhvillohen ngjarjet. Përpos Tiranës, ne do të hasim në një numër të madh qytetesh pa emer, si qyteti F, qyteti B, qyteti S e qyteza R.
Këto qytete e qyteza shndërrohen në vende të shëmtuara ku personazhet e Nasi Lerës vrasin e varrosin ëndrrat e tyre:
“Kur u nisa për në qytezën R, isha një njeri që kishte ende një ëndërr, ndërsa kur u ktheva në qytetin F, nuk e kisha më. Kisha lënë ëndrrën time në një qytezë të humbur. Ndoshta jeta ime e vërtetë do niste pas vdekjes së saj.”[1]
Një ndër elementet më të rëndësishme të romanit të Lerës është edhe përshkrimi. Një pjesë e madhe e veprës është e mbushur me përshkrim. Autori në një mënyrë reale e deri në detaje na jep përshkrimin e personazheve dhe ndjenjave të tyre, përshkrimin e vajzave të bukura, të qyteteve të varfëra, të hoteleve të vjetra e të pista, të shtëpive të rrënuara e kështu me rradhë.
Përveç përshkrimit, romani në fjalë karakterizohet edhe nga shumësia e ngjarjeve. Në çdo kapitull ne do të njihemi me një histori të re e me një personazh të ri. Këto digresione të njëpasnjëshme i mundësojnë autorit të krijojë atë realitetin e shoqërisë së sotme në mënyrë sa më të besueshme.
Gjithashtu, autori fut edhe një numër të madh temash e motivesh si jetën e rëndë, humbjen e ëndrrave, humbjen e dinjitetit, varfërinë e sidomos vdekjen që është shumë e pranishme në ngjarje:
“E vetmja gjë që nuk shmangej, që nuk kishte vdekur dhe nuk do të vdiste, ishte vetë vdekja”[2] shprehet autori.
Madje romani përfundon me skenën e një varrimi, e që konsiderohet si skena më e fuqishme e romanit, përmes së cilës lidhen tragjizmi e komikja, të cilat bashkë na japin të vërtetën e madhe se ky realitet përjetohet çdo ditë nga ne.
Varrimi na shfaqet si një skenë, ku ne njerëzit jemi aktorë e shikues në të njëjtën kohë. Ndërsa drama që e luajmë është vetë vdekja.
Jo rastësisht ngjarja fillon me hapjen e agjensisë së varrimit nga Tim Funerali. Që në fillim autori synon të na tregojë që nuk kemi të bëjmë vetëm me vdekjen e natyrshme të njeriut dhe me varrimin e tij, por edhe me varrimin e shpresës, të mirës, ëndrrës.
Lokali, simbolikisht kthehet në një skenë e cila herë shndërrohet në floktore, herë në bastore, e krejt në fund në një agjensi varrimi.
Pra, në mënyrë simbolike, fati i këtij lokali na paraqet edhe shpresat e shuara dhe ëndrrat e dështuara të njeriut.
Romani në fjalë na zbulon njeriun si qenie mjerane duke e krahasuar atë me ëndrra të vdekura të kthyera në skelete. Njeriun e Nasi Lerës e hasim kudo në jetën tonë të përditshme.
Secili prej nesh njeh një Asti, i cili edhe pas studimeve nuk arrin të zë punë në drejtimin e tij. Madje vetë Asti mund të jemi edhe ne.
Secili prej nesh njeh një Fedra, e cila është në gjendje të bëjë gjithçka që të arrijë në postin që dëshiron. Madje vetë Fedra mund të jemi edhe ne.
Dhe secili prej nesh njeh një Tim Funerali, në të cilin nëse hedhim një shikim, në sytë e tij nuk do të shohim asgjë tjetër përpos zbrasëtirës.
Dhe prapë, vetë Tim Funerali mund të jemi edhe ne!
Veten mund ta gjejmë edhe në shumë personazhe dytësore, si personazhi i P.A-së, e cila në pamundësi për të vazhduar këtë lloj jete të hidhur vetëvritet, apo te personazhi i një të droguari i cili gjithashtu vendosë t’i japë fund jetës së tij në mënyrën më të keqe.
Të pasqyruarit e ndjenjave dhe mendimeve tona në personzhet në fjalë e shndërron romanin e Lerës në një ndër romanet më unike të letërsisë aktuale shqipe. Tek e fundit, kjo është edhe mjeshtëria e këtij autori.
Nasi Lera me “Kishim një ëndërr” na krijon një realitet të papërsëritshëm në letërsinë shqipe, duke futur dukuri të cilat i gjejmë të pranishme, sidomos në kohën aktuale. Sepse aty autori na shfaqë një realitet përmes një skene të përsëritur, ku secili nga ne ka një të përbashkët me tjetrin. Ndoshta humbjen e një ëndrre!
“Isha unë vetë që nuk thosha dot unë kam një ëndërr. Pohimi i vetëm që mund të bëja, ishte: unë jam njeri pa ëndrra, si të mos kisha pasur kurrë të tilla.”[3]
Gruaja si viktimë
Viktima e parë e realitetit të Nasi Lerës është gruaja. Me romanin “Kishim një ëndërr”, autori dëshmon edhe njëherë se është gruaja ajo e cila mbetet viktima e meskinitetit, dhunës psikologjike, e mashtrimit dhe gënjeshtrave të shumta të kësaj shoqërie.
Autori, në mënyrën më reale, arrin ta paraqesë gruan si viktimë të shoqërisë së sotme.
Përmes katër personazheve, arrin ta shpërfaqë para lexuesit rolin e gruas përpara kësaj shoqërie.
Në ngjarje hasim në historitë e katër vajzave, të Fedrës, të Ledi B, të Lora Rebit dhe të P.A, me historitë e të cilave mund të mishërohen një pjesë e madhe e vajzave shqiptare.
Fedra është një ndër personazhet kryesore të cilën e hasim edhe në rolin e narratorit. Në faqet e para të librit Fedra na shfaqet si një vajzë e dashuruar dhe e mbushur me përplot ëndrra. Ajo bënte pjesë në grupin e njerëzve që ëndërronin të bëheshin dikushi. Por në vend të një dikushi ajo bëhet asgjë më shumë se vegël e shefit të saj. Në vend të një dikushi ajo shndërrohet në një njeri, që gjithashtu trupin e saj e sheh si një vegël, një vegël përmes së cilës arrihen shumë gjëra:
“Unë e ndjeja se nuk kisha mposhtur thjeshtë një mashkull, por një pushtet të frikshëm. Nuk kishte pushtet që nuk mund të shtihej në dorë.”[4]
Por pas çdo pushteti që Fedra fut në dorë, ajo nuk plotësohet. Përkundrazi, ajo përgjysmohet.
P.A-në autori e vendos në rolin e një gruaje, historinë e së cilës e dëgjojmë çdo ditë në lajme apo gazeta. P.A më shumë se grua është pronë e një burri. Është burri ai i cili vendos për fatin e saj dhe e shtyen atë drejt vetëvrasjes. Personazhi i saj karakterizohet nga rrënimi i parakohshëm, rrënim ky që ndodh me femrat me të cilat është abuzuar.
Ledi B është njëra nga vajzat jeta e së cilës fillon natën. Ajo është vajza e makinave të shtrenjta, vajza e jetës luksoze. E një jete që kushtonte sa vetë trupi i saj.
Ndërsa Lora Rebi shfaqet në maskimin e një këngëtareje të bukur e cila shoqërohej vetëm me shtresën e lartë, me deputetët apo njerëzit e pasur.
Por në anën tjetër, autori me pak rreshta shfaqë anën e pafajshme dhe të dëlirë të këtyre dy personazheve, anë kjo e cila mbetet e panjohur si per personazhet e tjera, ashtu edhe për lexuesin.
Nasi Lera me “Kishim një ëndërr” dëshmon se edhe sot, në kohën aktuale, asgjë nuk ka ndryshuar. Në syrin e kësaj shoqërie të sotme, gruaja përveçse e bukur, nuk përfaqëson asgjë. Sa më e bukur ishe, aq më e papranueshme ishe, nëse nuk ishe dikush apo gruaja e dikujt.
Krejt në fund, në letërsinë shqipe askush më mirë se Nasi Lera nuk arrin ta krijojë një teatër ku luhet ky realitet i hidhur, në të cilin njerëzit si personazhe e si regjisorë lujanë pa u ndalur me veten dhe me të tjerët. Askush më mirë nuk e shpërfaq rezultatin e dështuar të politikës shqiptare. Dhe askush më mirë nuk na e hedh fytyrës se ndjenja më madhore e njeriut është urrejtja e jo dashuria:
“Kur ishim studentë, dashuronim,
ëndërronim dhe nuk e dinim se, duke ëndërruar, ktheheshim në viktima të politikës
së pamoralshme. Ne nuk duhej të donim, duhej të urrenim, por nuk e dinim se
urrejtja është forca më e madhe që ka njeriu brenda vetes. I trembeshim dhe i
shmangeshim kësaj force, sepse ëndërronim, dashuronim. Tani më vjen për të
qeshur me pafajsinë tonë, me faktin që urrenim urrejtjen dhe dashuronim
dashurinë.”[5]
[1] Nasi Lera, “Kishim një ëndërr”, Botimet Living, Tirane, 2016, fq. 49.
[2] Po aty, fq. 9.
[3] Nasi Lera, “Kishim një ëndërr”, Botimet Living, Tirane, 2016, fq. 68.
[4] Nasi Lera, “Kishim një ëndërr”, Botimet Living, Tirane, 2016, fq. 96-97.
[5] Nasi Lera, “Kishim një ëndërr”, Botimet Living, Tirane, 2016. fq. 132.