5 Nëntor, 2023 - 10:34 am
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se pas qeverisjes së Avdullah Hotit politika e jashtme e vendit kishte nevojë për një hov të ri.
Kryeminstri Kurti këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në facebook, ku edhe i ka përmendur punët që i ka kryer në politikën e jashtme.
“Pas moratoriumit për aplikim në organizata ndërkombëtare që kishte vendosur Qeveria që u drejtua nga tani deputeti Hoti, politika jonë e jashtme kishte nevojë për një hov të ri. Aplikuam dhe kaluam me sukses fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, sepse e meritojmë”. Dorëzuam aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian në fund të vitit të kaluar, sepse Evropa është kontinenti ynë e Bashkimi Evropian është fati ynë. Ndërkohë këtë vit u anëtarësuam në Partneritetin për Qeverisje të Hapur (OGP) dhe në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP)”, ka thënë Kryeministri Kurti.
Kryeministri Kurti po ashtu ka deklaruar se politika e jashtme është reflektim i qeverisjes së brendshme.
“E politika e jashtme është reflektim i qeverisjes së brendshme. Ligjshmëria, reformat, luftimi i korrupsionit dhe praktikave korruptive dhe qeverisja e mirë, u vërejtën dhe u vlerësuan nga të gjithë partnerët tanë brenda Bashkimit Evropian, përfshirë edhe disa vende hezituese kur vinte puna te liberalizimi i vizave për Kosovën. Me qeverisjen tonë dhe pas votimit përfundimtar të Parlamentit Evropian, tanimë është e qartë, nga data 1 janar 2024, qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi që të udhëtojnë lirshëm në zonën Shengen”, ka shkruar ai./ KultPlus.com