26 Prill, 2025 - 9:37 pm
Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” po përfaqëson Kosovën në Festivalin “Ricardo Casebre”, festivali Ndërkombëtar i Folklorit, Kulturës dhe Artit (FIFCA) 2025 në Almeirim, Portugali.
Kosova është pjesë e festivalit bashkë me shtetet e tjera si Portugalia, Meksika, Argjentina, Kili, Kolumbia, Lituania, Bullgaria e Polonia.
Lajmin e ka bërë të ditur ambasadorja e Kosovës në Portugali, Edona Maloku. Më poshtë gjeni postimin e plotë:
E nderuar që bashkë me Kryetarin e Komunës së Almeirim Pedro Miguel Ribeiro dhe Kryetarin e Festivalit Ricardo Casebre të bëjmë hapjen zyrtare të Festivalit Ndërkombëtar të Folklorit, Kulturës dhe Artit (FIFCA) 2025 në Almeirim, Portugali.
Në edicionin e sivjetmë, krenari të pafund na dhanë artistët e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, që me performancat e tyre po përfaqësojnë denjësisht kulturën e Kosovës krahas shteteve të tjera si Portugalia, Meksika, Argjentina, Kili, Kolumbia, Lituania, Bullgaria e Polonia. Ndërmjet datave 24 prill – 1 maj ansamblet gjegjëse, artdashësit e spektatorët e 7 komunave në Portugali do të kenë mundësi të njihen me vlerat e kulturave të ndryshme dhe të shijojnë diversitetin që secila nga to sjellë në mozaikun botëror të trashëgimive kulturore e folklorike.
Falenderim i veçantë shkon për gjithë ekipën e Ansamblit “Shota” që na bënë zemrën mal me performancat e tyre, sidomos për përfaqësuesit e Ansamblit, z. Agron Syla – Drejtues, z. Besnik H. Grajcevci – Solist i Parë, znj. Artiola Shala – Valltare, të cilët morën pjesë edhe në ceremoninë e hapjes në komunën Almeirim dhe me të cilët bashkë bëmë nderimin e flamurit të Kosovës në sheshin kryesor./ KultPlus.com